Qeveria e Republikës së Maqedonisë është në vendin e parë në vlerësimin për transparencë të qeverive në rajon, tregon hulumtimi i mbështetur nga BE-ja, me të cilën matet transparenca e institucioneve në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi.

Hulumtimin “Action SEE – Përgjegjësi, teknologji dhe rrjet i transparencës institucionale në Evropën Juglindore” e realizoi Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, ndërsa sot iu prezantua ministrit pa portofol i angazhuar për Komunikime, Llogaridhënie dhe Transparencë Robert Popovskit.

Sipas rezultateve, progres më të madh Qeveria e RM-së shënon në indikatorin për ndërgjegjësim, 99,88 për qind, që vlerësohet përmes dokumenteve strategjike, ndjekjes, misioneve, vizioneve dhe raportet vjetore. Progres të dukshëm ka edhe në qasjen deri te informatat, 77,27 për qind, që përfshin konsultime publike, qasje të liderë deri te informatat me karakter publik, si dhe në indikatorin për Integritet të institucionit, 77,89 për qind, ndërsa nënkupton kodekse etike, konflikt interesi, masa antikorruptuese dhe menaxhim të mirë.

Progres prej 69,13 për qind ka edhe në indikatorin për transparencë të buxhetit, mjetet e shpenzuara, furnizimet publike, anekse të marrëveshjeve, organo-grame dhe sistematizime.

Indeksi e mat edhe transparencën e ministrive në vendet e përmendura. Maqedonia edhe në këtë segment të hulumtimit shënon progres dhe tashmë është në vendin e tretë, pas ministrive në Serbi dhe në Mal të Zi. Edhe tek ministritë progres më të madh ka në indikatorët e transparencës dhe ndërgjegjësimit.

“Indikatorët të cilët janë përdorur u janë përshtatur nevojave tona në nivel kombëtar dhe rajonal, që do të thotë se përfshijnë miratim dhe ndryshime të ligjeve, zbatim të rekomandimeve nga Komisioni Evropian (KE), praktika të mira nga rajoni dhe dokumente strategjike në proceset reformuese”, theksoi projekt-koordinatorja Liljana Pecova-Ilieska.

Ministri Popovski vlerësoi se këto janë rezultate të shkëlqyeshme, për shkak se, siç tha, vitin e kaluar Qeveria e RM-së dhe ministritë janë qenë të renditura në vendin e fundit në rajon. Maqedonia, potencoi Popovski, përpiqet të jetë lider në transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi, jo vetëm në rajon, por edhe shumë më gjerë.

Monitorimi i ueb-faqeve të institucioneve është realizuar nga dhjetori i vitit 2017 e deri në shkurt të vitit 2018, ndërsa vitin e kaluar i njëjti hulumtim është bërë edhe për periudhën nga dhjetori i vitit të kaluar e deri në shkurt të vitit 2017.

Krahasimi midis dy periudhave tregon se indeksi i transparencës së Qeverisë së RM-së jashtëzakonisht është rritur në 75,61 për qind në krahasim me indeksin paraprak 52,34, kur Qeveria e Maqedonisë ishte në vendin e fundit midis qeverive të vendeve të përfshira me këtë hulumtim.

Në Maqedoni monitorimi ka dy vite me radhë që realizohet nga ana e Fondacionit “Metamorfozis”, i cili transparencën e qeverive e mat përmes katër kritereve: transparencës së institucioneve, qasjes deri te informatat, integritetit dhe ndërgjegjësimit.