Hyrja e mistershme e Gruevskit në Shqipëri

Edhe zyrtarisht, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë konfirmuar hyrjen dhe daljen e Nikolla Gruevskit në këto dy shtete gjatë rrugëtimit të tij drejt Hungarisë ku vetë ai njoftoi se ka kërkuar azil politik. Të dy shtetet arsyetohet se qarkullimi i lirë i Gruevskit është lejuar për shkak se nuk ka ekzistuar fletarrest ndërkombëtar që ka pamundësuar autoritetet e këtyre dy shteteve ta ndalojnë të njëjtin. Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi ka njoftuar se ishkryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski më datë 11 të këtij muaji ka hyrë në Mal të Zi dhe po të njëjtën ditë ka dalë nga shteti, por nuk jepen më shumë hollësi rreth itinerarit të këtij rrugëtimi.

Marketing

MPB e Malit të Zi

“Lidhur me rastin e shkrimeve nëpër media, si dhe interesimin e madh për këtë çështje, ndërsa të cilat kanë të bëjnë me atë se ish-kryemin i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka hyrë në Mal të Zi më 11 nëntor 2018, në interes të informimit të opinionit ju njoftojmë se Nikolla Gruevski hyri në Mal të Zi atë ditë dhe po të njëjtën ditë ka dalë nga vendi”

Në kumtesën e policisë malazeze thuhet më tej se në këtë rast “në tërësi janë respektuar procedurat ligjore”. E pa sqaruar mbetet pyetja se si Gruevski ka hyrë në Shqipëri, pasi nga MPB e Tiranës njoftohet vetëm mënyra se si Gruevski ka dalë nga Shqipëria në drejtim të Malit të zi.

MPB e Shqipërisë

“Shtetasi N. G. më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë. Në datën 11.11.2018 për shtetasin N. G., nuk ka pasur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim”

Policia e shtetit shqiptar ka bërë të ditur se Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas, që është dy ditë pas largimit të Gruevskit nga Shqipëria. Pas publikimit të këtij lajmi a reaguar edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili tha se çdo politikan nuk duhet t’i shmanget drejtësisë. “Unë mendoj se çdo politikan, aq më tepër një politikan me përgjegjësi të madhe në vendin e tij siç është rasti në fjalë, nuk duhet t’i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike. Nuk mund të gjykoj për çështjen në fjalë, sepse kemi të bëjmë me një vend tjetër, aq më tepër duke pasur këtë pozicion nuk kam përse të hap një debat për këtë çështje”, ka thënë mes tjerash presidenti Meta. Ai ka vlerësuar se largimi i Gruevskit nga Maqedonia është edhe në një mënyrë, pranim i fajësisë së tij, pavarësisht nga pretendimet që ai mund të paraqesë. Kreu i shtetit shqiptar me këtë rast ka thënë se edhe në Shqipëri ka pasur burgosje që janë konsideruar si politike, duke përmendur këtu edhe rastin personal gjatë burgosjes në vitin 1992. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjithashtu thotë se politikanët në Ballkan duhet të jenë gati për të gjitha sfidat.shenja/