I jepet lamtumira e fundit aktorit Adem Mikullovci (FOTO)

Sot në varrezat e qytetit në Prishtinë i është dhënë lamtumira e fundit artistit të paharruar për shumë gjenerata Adem Mikullovci.

Marketing

Në ceremoninë mortore morën pjesë qytetarë, familjarë, miq, kolegë dhe përfaqësues të institucioneve vendore.

Lumnie Mikullovci nën lot ka treguar momentet e fundit të jetës së bashkëshortit të saj.

“Ka qenë sëmurë vitin e kaluar, por këtë vit ka qenë shumë mirë. Fjalët e fundit ai nuk pati kohë me i thënë, sepse aorta abdominale e bëri të veten dhe kanë qenë dy minuta në pyetje, por para asaj, ai e luajti një shfaqje të tekstit të tij për film. E luajti para meje, fqinjës sime, aq me emocione dhe kur u krye, i thash Adem ti e luajte një shfaqje, na dhe një përjetim shumë emocional. Aktori e ndien, i ka ardhur momenti. Ai ka jetuar me teatër me film, aq ishte jeta e tij. Kanë bërë të pamundurën gjithë stafi mjekësor, ambulancat, familjet, por aq ishte… Bash hiq s’e kam pritur vdekjen e tij mbrëmë, më ka tmerruar. Isha vetëm me të në shtëpi, përnjëherë më ka thënë: Unë s’jam mirë, thirrma ambulancën!” Unë i thash që ke qenë shumë herë sëmurë, mirë je, do të shërohesh, dhe unë e kam kapur dhe e kam mbështetur për kanape. Në ato momente, e pashë që ai nuk është mirë, ia dhashë ndihmën e parë, edhe u fik, u fik, ra perdja përgjithmonë”, tha ajo.

Adem Mikullovci ndërroi sot jetë në moshën 81-vjeçare. Përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike.

Gjithashtu ka qenë delegat i Kuvendit, i cili shpalli deklaratën Kushtetuese dhe të Pavarësisë nga viti 1990-1992, si dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e kaluar.

Marketing