Ibuprofeni po testohet për trajtim të koronavirusit

Shkencëtarët janë duke nisur një testim për të kuptuar nëse ilaçi ibuprofen mund t’iu ndihmojë pacientëve që janë të sëmurë me koronavirusin e ri.

Marketing

Ekipet nga dy spitale në Londër dhe ata të Kolegjit King, besojnë se ky ilaç, që është anti-iflamator dhe shërben kundër dhimbjeve, mund të trajtojë problemet me frymëmarrje.

Ata shpresojnë se ky trajtim me shpenzime të vogla, mund të mbajë pacientët larg trajtimit me ventilatorë.

Përgjatë testimit, gjysma e pacientëve do të marrin ibuprofen përveç ilaçeve tjera.

Megjithatë në testim do të përdoret një formulë më specifike e këtij ilaçi, për dallim nga tabletat e rregullta që përdorin njerëzit.

Studimet në kafshë kanë treguar se ibuprofeni mund të trajtojë problemet e rënda me frymëmarrje – njëra nga simptomat e rënda të disa pacientëve të infektuar me koronavirus.

Në periudhat e hershme të pandemisë me koronavirus, ka pasur shqetësime se ky ilaç mund të jetë i keq për personat që mund ta kenë virusin me simptoma të lehta.

Mirëpo një studim kërkimor nga Komisioni për Mjekësi Njerëzore ka treguar se sikurse paracetamoli, edhe ibuprofeni mund të përdoret për simptomat e koronavirusit.

Të dyja ilaçet mund të ulin temperaturën dhe simptomat e ngjashme me ato të gripit.