Emmanuell Macron, presidenti i Francës po shfaqet si lideri i ri që do të vendosë fatet e Bashkimin Europian, e mes këtyre në axhendën e tij përfshihen edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor që po presin prej dekadash që të jenë pjesë e Unionit.

Në samitin e fundit të Këshillit Europian, do të ishte Macron që do të vendoste veton, duke bllokuar dhënien e dritës jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por mediat serbe kanë paralajmëruar së fundmi në lëvizje të re të presidentit francez, i cili pritet të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi refuzimit që i bëri me mos çeljen e negociatave.

Franca pritet që të propozojë një partneritet special në këmbim të heqjes dorë për çështjet e integrimit. Një propozim që mund të shkurarojë shtetet e Ballkanik që presim të çelin sa më shpejt negociatat.

Gentian Elezi ish-zv.ministër dhe ekspert i çështjeve të integrimit në një reagim për Gazeta Si shprehet se kjo është një ide e dëmshme dhe ky propozim i Macron nuk është i ri, pasi është bërë edhe më herët.

“Është e vërtetë se thuhet se po diskutohet një tezë e tillë, por duhet të themi se nuk është e re, por është hedhur nga Franca edhe më parë para 20-30 vitesh. Teza koncepton një Europë të ndare në tre rrathë, në të parin Franca, Gjermania dhe vendet e tjera të zhvilluara, të cilat do kishin integrim të plotë. Me pas do të futeshin në rrethin e dytë vendet e Europës Qendrore dhe Jugore, pa u anëtarësuar plotësisht, por me disa te drejta dhe akses të madh në tregun europian. Dhe ne rrethin e trete do ishte Ballkani dhe vendet deri ne Ukrainë qe do kishin akses në tregun europian dhe në fonde, por ka perspektivë anëtarësimi. Por kjo ide është kundërshtuar dhe hedhur poshtë gjithmonë nga lidershipi i BE-së”, shprehet Elezi për Gazeta Si.

Eksperti për çështjet e integrimit thekson se më tej Franca ka pasur përherë një rol parësor sa i përket çështjes së integrimit në BE duke përmendur edhe precedentët ku ky shtet ka ndërmarrë bllokada. Duket si një ironi, por në kohën kur Britania e Madhe po kërkon daljen nga BE-ja, në këtë moment është Shqipëria që po kërkon anëtarësim dhe është pikërisht Franca shteti që po e bllokon këtë.

“Duhet thënë se Franca është gjithmonë aktor kryesor që historikisht ose shtyn përpara integrimin ose e bllokon procesin. Britanisë së Madhe pasi aplikoi iu deshën 12 vite nga 1961 deri ne 1973 për t’u anëtarësuar, pikërisht, sepse presidenti francez Sharl De Gol i vuri dy herë veto anëtarësimit. U anëtarësua vetëm kur De Gol nuk ishte më president. Me këtë nuk dua të them se ne duhet të presim deri sa të iki Emmanuel Macron si president. Por qe të diskutohet dhe merret ne konsiderate tani teza e tij mendoj se është shumë kundërprodhuese dhe në dëm të vetë BE-së. Përveç se do të dëmtonte Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit nga pikëpamja e stabilitetit, do të kishte pasoja edhe për vetë BE”, shprehet Elezi.

Ky lloj “cirku’ që po i ndodh vendeve të Ballkanit mund të sjellë edhe frikën e rritjes së euroskeptizmit apo dhe e stepjes së proceseve integruese.

Në një dokument të hartuar kohët e fundit “Analizë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe Kosovës: Bashkëpunimi në rrugën përpara”, theksohet se politika e zgjerimit të BE-së ka qenë viktimë e kësaj periudhe të trazuar politike. “Sinjalet që vinin nga vendet anëtare ishin për ngadalësim të procesit. Aktualisht, Franca, Holanda, Danimarka dhe disa vende të tjera kanë shprehur shqetësime në lidhje me procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Në këto rrethana, Komisioni ka humbur rolin dhe udhëheqjen e tij proaktive në këtë proces dhe i ka kushtuar vëmendje të shtuar ndjeshmërisë së politikave kombëtare të shteteve anëtare. Në njërën anë, në disa raste Komisioni ka qenë shumë hezitues në dhënien e rekomandimeve shteteve anëtare mbi gjetjet e tij. Nga ana tjetër, në disa raste të tjera, Komisioni ka rekomanduar vijimin me fazat e ardhshme dhe Këshilli nuk ka dhënë vendim pas rekomandimit të Komisionit”, thuhet në këtë dokument.

Në rastin e Shqipërisë, përkundër një rekomandimi pozitiv për statusin e kandidatit në tetor 2013, Këshilli nuk e dha atë në mbledhjen e tij të radhës. Priti derisa zgjedhjet evropiane të zhvilloheshin në vitin 2014 dhe më pas mori një vendim të favorshëm në qershor të atij viti. E njëjta gjë ndodhi me rekomandimin e vitit 2018 dhe 2019 për hapjen e negociatave. (gazeta si)