Idrizovë, s’ka zgjidhje për nxënësit shqiptarë

Një muaj nga fillimi i vitit shkollor nxënësit shqiptarë të Idrizovës të cilët kanë mbaruar klasën e pestë, akoma nuk kanë nisur procesin mësimor. Presin zgjidhjen e problemit me paralelen shqipe në Shkollën Fillore “Njegosh”. Kreu i Gazi Babës Boris Georgievski tha sot se drejtori i shkollës e ka dorëzuar kërkesën për paralelen dhe të njëjtën e ka nisur në MASH.

Marketing

“Po, ka dorëzuar kërkesë deri tek komuna. Bordi i shkollës është deklaruar si jo kompetent për zgjidhjen e një rasti të tillë. Kështu që tani në komunikim mes Ministrisë së Arsimit dhe Vetëqeverisjes Lokale po shqyrtojmë se cila do të jetë zgjidhja e përshtatshme për këtë në përputhje me kornizën ligjore, pra kapacitetet kadrovike, financiare dhe hapësirat – tha Boris Georgievski- kryetar i Gazi Babës.

Por ministri i arsimit, e përgënjeshtron kryetarin e Gazi Babës. Ai tha se një kërkesë të tillë nuk kanë pranuar dhe se javën e fundit nuk kanë komunikuar aspak me komunën rreth kësaj çështje, pasi sipas tij bisedimet për paralelen shqipe tashme po zhvillohen në nivel tjetër.

“Absolutisht jo dhe absolutisht kjo është e pavërtetë. Domethënë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nuk është dorëzuar një kërkesë e tillë nga ana e shkollës apo nga ana e komunës. Ne jemi në pritje të dorëzimit të kërkesës nga ana e tyre, që të mund të hapet paralelja në gjuhën shqipe në klasën e gjashtë në Shkollën Fillore “ Njegosh”, të Jurumlerit. Javën e fundit aspak nuk kemi komunikuar në këtë drejtim dhe sigurisht se bisedimet po i zhvillojmë në një nivel tjetër, e jo me komunë – u shpreh Arbër Ademi – Ministër i Arsimit.

Nga kjo sjellje e institucioneve, më të dëmtuarit mbeten nxënësit shqiptarë të klasës së gjashtë të fshatit Idrizovë, të cilët nuk figurojnë të regjistruar në asnjë shkollë. Të shqetësuar për mësimet e humbura, nxënësit për çdo ditë improvizojnë orët e mësimit duke përsëritur materialin e ngelur të klasës së pestë.

Prindërit vazhdojnë të këmbëngulin që edhe paralelet e klasës së 6,7,8 dhe 9 me mësim në gjuhën shqipe të hapen në këtë shkollë.

“Të udhëtojnë deri në Shkup është vështirësi e madhe për një prind, nuk kemi mundësi si t’ia bëjmë me udhëtimin, është shumë problem. Shkolla këtu është shumë afër, kemi shumë dëshirë që këtu të na hapin paralelen në gjuhën shqipe – tha Shyrete Seferi, prind.

Kundër hapjes së klasës së gjashtë në gjuhën shqipe u ngritën prindërit maqedonas të Jurumlerit, të cilët bojkot të hënën bojkotuan mësimin. Nga ana tjetër, në rast se deri në fund të muajit nuk gjendet asnjë zgjidhje për fatin e 12 nxënësve, prindërit kanë paralajmëruar protesta me bllokim të rrugëve./alsat/

Marketing