Incidenti në Hasanbeg, padi penale ndaj 3 personave

Shumë banorë të Hasanbegut në orë policore kur është i ndaluar qarkullimi, mbrëmjen e së hënës, dolën në rrugë në shenjë proteste, pasi policia arrestoi tre qytetarë për mosrespektim të orës policore. Ministri i punëve të brendshme, Naqe Çulev, njoftoi se është ngritur padi penale ndaj 3 personave që u arrestuan, ndërsa theksoi se për momentin po identifikohen edhe personat që morën pjesë në protestë, të cilët po ashtu, siç tha ai, do të përballen me ligjin.

Marketing

“Për të tre personat e arrestuar tashmë është parashtruar padi penale deri tek Prokuroria Themelore Publike. Me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit, MPB gjatë ditës së sotme ka zhvilluar aktivitete, nga ku janë siguruar video regjistrime për të cilin po kryhet analizë e detajuar me qëllim gjetjen dhe identifikimin e personave që kanë prishur rendin dhe qetësinë publike dhe kanë kryer vepra penale dhe nuk kanë respektuar ligjet dhe vendimet e qeverisë për të cilat do të parashtrohet padi konkrete.”,- deklaroi ministri i MPB-së, Naqe Çulev.

Por, Çulev akuzoi se incidenti i mbrëmshëm ishte i motivuar politikisht.

“Prapavija politike nuk e arsyeton këtë sjellje, por flet për rrezikim tendencioz të shëndetit të qytetarëve që jetojnë në këtë pjesë të qytetit, e që është shkaktuar edhe për shkak të bindjeve politike.”,- u shpreh ministri i MPB-së, Naqe Çulev.

Georgieski: Dola për të qetësuar turmën

Kryetari i komunës së Gazi Babës, që është nga radhët e LSDM-së, mohoi se ngjarja të ketë pasur motive politike. Dalja e tij në protestën e djeshme, sipas tij, ka pasur për qëllim qetësimin e situatës.

“Dua ta sqaroj situatën në Hasanbeg për të gjithë ata që nuk e kuptuan deri në fund. Është e vërtetë se në Hasanbeg u shkel ora policore nga një grup qytetarësh. Unë si kryetar komune dola në vendngjarje për ta qetësuar situatën që të kthehet në normalitet, pa incidente shtesë.”,- ka shkruar në rrjetet sociale kryetari i komunës, Boris Gerogievski.

Pas incidenteve të mbrëmshme në lagjen Hasanbeg të Shkupit, sot është kthyer në normalitet kjo lagje. Qytetarët nuk duan të flasin para kamerës, por thonë se ora policore respektohet në përjashtim të ditës së djeshme, ku sipas tyre ka pasur provokim nga ana e policisë.

Kryetari i bashkësisë lokale, Abdulla Ibishi, thotë se në Hasanbeg ora policore respektohet dhe se përjashtim bën nata e së hënës.

“Mendoj se Hasanbegu e respekton orën policore, se unë çdo natë dal rrugës shoh dhe netëve të tjera nuk ka pasur probleme. Ka disa fëmijë të vegjël që dalin, por nuk është problem ai, se ata futen nëpër shtëpi.”,- u shpreh kryetari i Bashkësisë Lokale – Hasanbeg, Abdullah Ibishi.

Sa i përket respektimit të orës policore, gjatë 24 orëve në mbarë territorin e vendit janë regjistruar 98 shkelje, kurse me vendim shtetëror janë izoluar 109 persona.

Marketing