INDEKSI I LIRISË EKONOMIKE: Maqedonia në vendin e 41 në botë

Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 41 në botë në indeksin e lirisë ekonomike për vitin 2020, duke shënuar ulje krahasuar me vitin 2019, kur është renditur në vendin e 33 në botë. Sipas raportit të Fondacionit “ Heritazh” mbi Indeksin për liritë ekonomike në botë për vitin 2020, rezultati i lirisë ekonomike për vendin tonë, është 69.5 pikë. Ai është ulur në raport me një vit më parë me 1.6 pikë, si rrjedhojë e rënies në rezultatin e efektivitetit të gjyqësorit. Maqedonia e Veriut renditet e 23-ta në mesin e 45 vendeve të Evropës, dhe rezultati i saj i përgjithshëm është afërsisht i barabartë me mesataren rajonale dhe shumë mbi mesataren botërore. Një pikë e dobët për liritë ekonomike në vend vazhdon të mbetet lufta kundër korrupsionit , zbatimi i ligjeve , burokracia dhe gjyqësori joefikas.

Marketing

Ekonomia vendore sivjet shënon sërish rënie në kategorinë mesatarisht të lirë, pas tre viteve në kategorinë kryesisht e lirë. Prodhimi i Brendshëm Bruto , megjithatë, po shënon rritje të moderuar për pesë vitet e fundit, i nxitur nga konsumi privat dhe publik.

Mbështetja e qeverisë në nivelet e larta të shpenzimeve publike për të financuar projekte të infrastrukturës publike dhe për mbështetjen e programeve sociale në të kaluarën , ka ndikuar në uljen e rezultateve lidhur me shpenzimet qeveritare. Njëherazi, nxitja e investimeve të huaja direkte në industritë e orientuara ndaj eksporti, do të inkurajohej nga zbatimi më i fortë i ligjeve anti korrupsion. Nga ana tjetër, raporti thekson se ekziston baza ligjore për mbrojtjen e patundshmërive , dhe pronës , mirëpo zbatimi i ligjit nuk është i papërshtatshëm. Përmirësimi i kadastrës ka rritur sigurinë dhe shpejtësinë e transaksioneve të pasurive të patundshme. Gjithashtu brengë dhe shqetësim të vazhdueshëm paraqesin edhe pavarësia e kufizuar gjyqësore, politizimi i organit të mbikëqyrjes gjyqësore dhe financimi i pamjaftueshëm i gjyqësorit.

Raporti sërish thekson edhe perceptimin apo përshtypjen për nivelin shqetësues të korrupsionit. Kjo mbetet një problem serioz, ndërsa nëpunësit e qeverisë gjoja apo kinse po kryejnë veprime korruptive që nuk ndëshkohen, shton më tej raporti.

Vlera totale e eksporteve dhe importeve të mallrave dhe shërbimeve është e barabartë me 133.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm bruto. Norma mesatare e tarifave të aplikuara është 1.9 për qind, , ndërsa ende katër masa jo tarifore janë në fuqi. Përkundër reformave në regjimin e investimeve, burokracia pengon rritjen dinamike të investimeve të reja. Sektori financiar është forcuar në vitet e fundit, dhe përfshirja e qeverisë ka qenë e kufizuar kryesisht në miratimin e rregullave të kujdesshme dhe efikase. Ulja e tarifave të tokës ka bërë që të ulet kostoja e lëshimit të lejeve për ndërtim. Dobësitë e tregut të punës të shkaktuara nga mungesat e aftësive dhe mospërputhjet e aftësive kanë ndikuar në mënyrë negative në ekonominë e vendit.

Nga shtetet e rajonit, para Maqedonisë renditen Bullgaria në vendin e 36 me 70.2 pikë, dhe Rumania në vendin e 38 me 69.7 pikë. Pas nesh renditen Sllovenia në vendin e 52 me 67.8 pikë, Kosova në vendin e 53 me 67.4 pikë, Shqipëria në vendin e 57 me 66.9 pikë,Serbia në vendin e 65 me 66 pikë, Bosnje e Hercegovina në vendin e 82 me 62.6 pikë dhe Kroacia në vendin e 84 me 62.2 pikë. Në pesë vendet e para në botë renditen Singapori, Hong Kongu, Zelanda e re dhe Zvicra që kanë nivel të lartë të mirëqenies së popullatës, ndërsa në pesë vendet e fundit renditet Korea e Veriut,Venecuela, Kuba, Eritrea dhe Republika e Kongos me nivel të ulët të standardit jetësor.

Ekonomistët thonë se liritë ekonomike kanë një rëndësi të madhe për prosperitetin e qytetarëve. Fondacioni “ Heritazh”, në SHBA bën studimin e sistemeve ekonomike të botës, mbi 20 me. Ky studim, i quajtur Indeksi i Lirisë Ekonomike, bëhet për të kuptuar çfarë sistemesh ekzistojnë dhe çilat ofrojnë standardin më të mirë të jetesës për qytetarët e tyre. “Heritazh”, i rendit vendet sipas lirisë ekonomike, e cila përcaktohet nga 12 kritere. Vendet që kanë sundim të mirë të ligjit, qeveri të vogël, rregulla efikase dhe tregje të hapura konsiderohen të kenë liri më të madhe ekonomike dhe anasjelltas. Liria ekonomike nënkupton, pra, përfshirje sa më të vogël të shtetit në ekonomi. (koha.mk)

Marketing