Inspektorati nuk vëren parregullsi në thirrjet shkencore

Inspektorati për arsim të lartë nuk ka vërejtur parregullsi në avancimin arsimo-shkencor të funksionarëve shtetërorë Arbër Ademi dhe Agim Nuhiu. Kështu thuhet në inspektimin e jashtëzakonshëm të Inspektoratit i cili u iniciua nga vetë drejtori Tome Spirovski, pasi që u distancuan nga inspektori Gjorgji Ilievski, i cili ende mbanë qëndrim se janë shkelur procedurat, kur Universiteti i Tetovës Arbër Ademit i dha titullin docent ndërsa Agim Nuhiut profesor inordinar. Për rastin e avancimit të Arbër Ademit në docent, gjatë kohës kur ka qenë funksionarë shtetëror, nga Inspektorati për Alsat thuhet:

Këtu nuk bëhet fjalë për pushim dhe vazhdim të afatit për shpallje të konkursit, por bëhet fjalë për gjendje faktike në të cilën kandidati pas doktoraturës i plotëson kushtet për t’u zgjedhur docent, që është avancim normal në arsimin e lartë, avancim i cili kryhet jo sipas afateve të parapara, por sipas doktoraturës dhe përmbushjes së kushteve për tu zgjedhur docent”-thonë nga Inspektorati i arsimit të lartë.

Për rastin e Agim Nuhit, nga Inspektorati thonë se avancimi është bërë në pajtim me nenin 133 pika 1, nga ligji paraprak për Arsim të lartë ku thuhet:

Paraprakisht, personit në fjalë i është pushuar marrëdhënia e punës në Universitetin e Tetovës, por jo angazhimi arsimo-shkencor, gjë për të cilin është arritur marrëveshje e veçantë për shërbime intelektuale, për të cilat sipas dokumentacioneve, nuk ka marrë kompensim me para për angazhimin, ndërsa e gjitha kjo është bërë në pajtim me ligjin”- thekson Inspektorati i arsimit të lartë.

Nga Universiteti i Tetovës ekskluzivisht për Alsat thonë se gjatë avancimit të Agim Nuhiut dhe Arbër Ademit janë respektuar të gjitha procedurat e nevojshme, duke mohuar kështu çdo shkelje ligjore, të publikuara ditë më parë nga inspektori Ilievski.

Ju njoftojmë se institucioni ynë i ka respektuar të gjitha procedurat e avancimit dhe profesorët në fjalë vijojnë të jenë profesorë të rregullt në Universitetin e Tetovës, por për shkak të angazhimit të tyre në funksione publike nga Universiteti i Tetovës nuk marrin kompensim financiar. Ne vlerësojmë se, ligjshmërinë e këtyre avancimeve do ta konstatojë edhe inspektorati përkatës nga i cili e presim raportin përfundimtar”-thonë nga Universiteti i Tetovës.

Në raportin që e bëri me vetiniciativë, e që i kontestohet nga vetë institucioni ku punon, inspektori i lartë i arsimit Gjorgji Ilievski thotë se dy funksionarët në mënyrë jo ligjore u avancuan para 2 vitesh. Në pyetjen e Televizioni Alsat, se përse i njëjti deri tani ka heshtur e nuk e ka paraqitur shkeljen eventuale, ai tha se ligji parasheh që në afat 5 vjeçar të kthehen prapa për të inspektuar avancimet dhe procedurat në arsim të lartë dhe se tani e ka parë të arsyeshme të bëhet ky inspektim. Ai mohoi se është i ndikuar politikisht apo i frustruar në ndonjë mënyrë tjetër. Ndërkaq rasti është paraqitur edhe në Komisionin anti-korrupsion, të cilët kanë proceduar lëndën dhe thanë se po mbledhin informacione të nevojshme për të parë nëse ka apo jo shkelje ligjore.

evn