Inspektorët në terren: Javën e kaluar janë parashtruar 23 kundërvajtje dhe 19 kallëzime penale, për fundjavë pa TVSH – 15 shkelje

Në periudhë prej 5 deri 11 tetor, gjatë kontrolleve inspektuese në territorin e tërë shtetit janë ngritur 23 kundërvajtje dhe 19 kallëzime penale për mosrespektimin e protokolleve lidhur me Kovid-19.

Marketing

Gjatë fundjavës pa TVSH, inspektorët kanë konstatuar 15 shkelje lidhur me çmimet e prodhimeve, informoi sot në konferencë për shtyp, kryetarja e Këshillit të Inspektoratit, Magdalena Filipovska Grashkovska.

Inspektorati shtetëror i tregut ka zbatuar 2.880 kontrolle dhe 290 mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese.

Nga kallëzimet penale, nëntë janë për persona juridikë në Shkup, pesë në Kërçovë, nga dy kallëzime penale në Manastir dhe Kavadar dhe një në Ohër.

Në mënyrë shtesë janë shqiptuar pesë vendime për shkelje tjera.

“Inspektorati shëndetësor dhe sanitar shtetëror në periudhën e njëjtë ka kryer 1226 mbikëqyrje lidhur me protokollet shëndetësore. Ky inspektorat për këtë periudhë ka lëshuar 3.929 vendime për izolim dhe shërim në shtëpi për personat të cilët kanë qenë në kontakt me person të sëmurë.

Inspektorati për punë në periudhën e njëjtë zbatoi 409 mbikëqyrje në subjekte juridike në territorin e RMV-së me fokus të respektimit të protokolleve në drejtim të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve”, tha mes tjarash, Filipovska Grashkovska.

Lidhur me ahengjet në objekte private, kryetarja e Këshillit inspektues tha se asnjë inspektor nuk ka kompetencë të hyjë në objekte private dhe nuk do të mund të kontrollohen lidhur me rregullat ekzistuese ligjore.