Instituti i Shqipërisë raporton për tërmet 4.9, EMCS regjistron dy tërmete

Lëkundjet e kësaj mbrëmje në Shqipëri kanë rikujtuar sërish tronditjen e tërmetit të 26 nëntorit dhe fillimisht në media ka qenë mjaft e vështirë të përcaktohej saktësisht se sa ka qenë shkalla e lëkundjeve.

Marketing

Lëkundjet e tokës kanë nisur lehtë dhe më pas janë bërë edhe më të forta. Vetëm dy minuta më vonë lëkundjet janë ndier sërish për pak sekonda dhe gjithçka ka përfunduar.
Sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC), në Shqipëri janë regjistruar dy lëkundje fare pranë njëra tjetrës në kohë.

Fillimisht ka rënë një tërmet 5 i shkallës rihter në detin Adriatik, 34 km larg Tiranës dhe vetëm një apo dy minuta më pas, një tjetër lëkundje prej 4.1 të shkallës Rihter, është regjistruar në afërsi të Fushë- Krujës, 20 kilometra larg Tiranës.

Ndërkohë Instituti i Gjeoshkencave, Ujit dhe Mjedisit ka dhënë një tjetër shifër zyrtare dhe flet për një tërmet në Shqipëri. Sipas IGJEUM “Goditja kryesore e orës 21.15 me magnitude 4.9 i shkalles rihter, me thellesi 7 km, me epiqender ne fshatin Bubq. Goditja eshte shoqeruar nga pasgoditje me te vogla, te cilat shoqerojne aktivitetin sizmik te 26 Nentorit”.

Ndërkohë përtej lëkundjeve, në informacionin paraprak të sjellë nga Ministria e Mbrojtjes, nuk është raportuar për dëme materiale apo të lënduar në njerëz. Po një gjë mbetet e sigurt edhe nga pamjet e përcjella nëpër median shqiptare, lëkundjet kanë qenë të forta dhe banorët veçanërisht në Durrës e Tiranë kanë lënë banesat e tyre.