Këto janë mbajtëse për infuzione dhe karroca medicinale. Këto instrumente mjekësore po dërgohen në spitalin e fëmijëve, në repartin e Onkologjisë dhe Hematologjisë. Ky është një donacion prej 202 mijë denarësh, i bërë me iniciativë të qytetarëve. Ata kontribuan, duke blerë numra për në Minimaratonën, e cila u mbajt në Çair.

“Sot e bëjmë donacionin, ia dëshmojmë popullit të cilët na kanë besuar në ditën e maratonës dhe na kanë mbështetur dhe sot kemi ardhur për ti donuar këto mjete. Gjithsej 10 mbajtëse të infuzionit, dy karroca për në dhomë dhe dy karroca për në ambient të jashtëm, dy komoda medicinale dhe dy karroca për instrumente”, deklaroi Elife Nevzadi, organizatore.

Me shumën tjetër që ka ngelur janë blerë pako për fëmijët, çarçafë dhe pixhama si dhe libra për çdo dhomë. Shefja e repartit Hematologjik, pohon se këto mjete kanë qenë tejet të nevojshme për këtë klinikë. Ajo thotë se ky repart ka nevojë për një rinovim të plotë, ngaqë nuk i përmbush kërkesat e pacientëve.

“Herë pas herë ka nevojë për rinovime të plota të tualeteve, lyerje të hapësirave, pra rinovime të kompletuara të hapësirës. Fëmijët me sëmundje malinje qëndrojnë periudha më të gjata, kështu që duhet tu mundësohen kushte të mira, ngaqë periudha e qëndrimit të tyre përgjatë mjekimit nuk është e shkurtër. Ndonjëherë shënon edhe muaj”, deklaroi Kata Martinova, udhëheqëse e Repartit hematologjik.

Një prind i cili doli nga një kontroll në klinikë, tha se shërbimet janë tejet të shtrenjta. Ajo thotë se gjatë qëndrimit në spital me fëmijën duhet të paguaj 3500 denarë për një ditë, për të dhe për vete.

“Shumë të shtrenjta janë shërbimet. Do të ishte mirë t’i zvoglonin çmimet shërbimeve, sepse ne nuk kemi para, nuk kemi paga të mëdha. Paguhet 1500 denarë për fëmijën, për mua 2000 denarë qëndrimi këtu”, tha Bilsen Osmanova.

Nga Spitali Universitar për sëmundje të fëmijëve, thonë se ky është donacioni i parë, që vjen nga organizimi i një maratone. Sa i përket rinovimit, shefja e repartit të Hematologjik thotë se para pak muajsh ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe i ka premtuar rinovim të plotë të spitalit të fëmijëve.