INTEGRIMET DHE LUFTA PËR PUSHTET. Partia para shtetit!

Samiti i BE-së në Bruksel edhe njëherë nxori në shesh dallimet e mëdha midis elitave politike në vend në raport me interesat shtetërore. Edhe njëherë, sipas njohësve të rrethanave politike, u dëshmua se liderët politik në Maqedoninë e Veriut interesin partiak e vënë mbi atë shtetëror. Sipas tyre, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, në vend se të bëjë rolin e analistit nga larg, është dashur që së bashku me kryeministrin Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministrin Bujar Osmani, të jetë në Bruksel për të mbrojtur këtë kauzë kombëtare për vendin.

Marketing

Ish-kryetari i Parlamentit, Stojan Andov, në një prononcim për gazetën KOHA thotë se me vetë faktin që opozita maqedonase reagoi shpejt duke akuzuar Qeverinë, nënkupton se nuk i njohin punët mirë. “Opozita në këtë mënyrë tregon se nuk e ka hallin të data e fillimit të bisedimeve me BE-në, por për të marrë pushtetin me çdo kusht. Prandaj, duhet të analizohen të gjitha rrethanat se në çfarë situate jemi, çfarë është puna dhe çfarë duhet të bëjë shteti, e jo kjo, e ajo parti. Kjo nuk është çështje partiake, është shtetërore. Thelbi i barrierave në rrugëtimin tonë euro-integrues nuk është kryeministri Zaev. Mendoj se Mickoski është dashur që së bashku me kryeministrin Zaev dhe zëvendëskryeministrin Bujar Osmani, të jetë i pranishëm në Bruksel, dhe të njihej nga afër me problemin”, thotë Andov, ndërsa shton se në këtë rast – opozita dhe Mickoski do të fitonin më shumë pikë politike dhe do të kishte më shumë arsye për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Nga ana tjetër, gazetari dhe drejtuesi i programit “200”, Nazim Rashidi, vlerëson se në Maqedoni rrallë herë politikanët kanë treguar se dinë të bëhen bashkë përtej interesit partiak, gjë që sipas tij, u dëshmua edhe me qasjen ndaj Samitit të BE-së në Bruksel. “Elitat tona politike rrallë herë kanë treguar se dinë të bëhen bashkë përtej interesit partiak. Kjo është ‘sëmundja’ e jonë me vite dhe prandaj, jo vetëm sa i përket integrimeve, por edhe çështje të tjera nuk janë miratuar me kompromis, përveç kur ka ndërhyrë faktori ndërkombëtar. Kam frikë se e njëjta situatë do ishte edhe nëse personazhet në Bruksel do të ishin të kundërt, sepse përherë logjika është si të përfitosh nga dështimi i tjetrit dhe jo nga oferta që bën”, deklaroi Rashidi.

Përndryshe, në paraqitjen e tij të fundit, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, ka theksuar se ka përfunduar durimi i opozitës, ndërsa ka ftuar qytetarët pa dallim përkatësie partiake ose etnike, të dalin në rrugë. “Mos prisni që këto të paaftë, këto politikanë kamikazë do të ikin vetë. Na duhet bashkim, na duhet rruga, na duhen sheshet, duhet të kalohet çdo shtëpi e bashkëqytetarëve tanë t’u themi se ne jemi ndryshe. Prej sot fillon përballja e fundit. Prej sot e paralajmëroj fitoren e VMRO-së dhe koalicionit ‘Për Maqedoni më të mirë’. Prej sot i ftoj të gjithë ata që mendojnë se politikat e Zoran Zaevit dhe LSDM-së janë të gabuara, i ftoj të na bashkohet, pavarësisht nëse është maqedonas, shqiptar, turk, rom, vlleh, boshnjak, serb dhe pa dallim nëse është pjesë e VMRO-së ose LSDM-së”, ka thënë Mickoski gjatë një takimi me qytetarët në Gevgjeli. Ndërkohë, qëndrimi i Francës karshi Maqedonisë së Veriut, nga liderë të ndryshëm evropian që janë pro caktimit të datës për fillimin e bisedimeve, është vlerësuar si i dëmshëm për reputacionin e unionit. (koha.mk)

Marketing