Intelektualët dhe diaspora shqiptare mbështesin referendumin

Këshilli i intelektualëve shqiptarë në Maqedoni dhe diaspora shqiptare në SHBA mbështesin referendumin e 30 shtatorit. Megjithatë mbështetjen e tyre e kushtëzojnë me ndryshimet kushtetuese që do të vijojnë më pas, duke kërkuar që përskaj ndryshimeve që burojnë nga Marrëveshja e Prespës në Kushtetutë të përfshihen edhe kërkesat për rregullimin e statusit shtet-formues të shqiptarëve dhe zyrtarizmit të gjuhës shqipe.

Marketing

Unë apeloj që shqiptarët dhe gjithë të tjerët të marrin pjesë në referendum, sepse këtu bëhet fjalë për të ardhmen. Me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe me fillimin e procedurës për pranim në BE do të hapen shumë çështje lidhur e Kushtetutën, dmth do të hapet edhe rruga për të bërë ndryshime kushtetuese edhe në favor të shqiptarëve. Ne kërkojmë që të jemi të barabartë- deklaroi Nevzat Halili, Këshilli i Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni.

Nga diaspora shqiptare madje kërkojnë ndarje proporcionale të buxhetit në Maqedoninë e përbashkët.

Është në interes të Maqedonisë, të shqiptarëve dhe maqedonasve të jeni të bashkuar, të jetoni së bashku dhe respektoni njëri-tjetrin, kulturën, mundësinë e arsimit dhe të gjitha të drejtave të barabarta- tha Skender Kodra, Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve, Nju Jork.

Kërkesat e shqiptarëve janë legjitime. Ne s’kemi asgjë kundër popullit maqedonas, por vetëm kërkojmë barazi me popullin maqedonas, duhet të jemi të barabartë në shtetformim, në dygjuhësi, në decentralizimin e pushtetit lokal dhe në ndarjen e buxhetit në formë proporcionale- tha Mamut Skenderi, Shoqata Shqiptaro-Amerikane.

Këto kërkesa intelektualët shqiptarë i përmblodhën në një memorandum, të cilin do t’ia dorëzojnë Qeverisë, Kuvendit dhe faktorit ndërkombëtar.

Marketing