Interi e mund Chievon dhe rikthen pozitën e tretë në Serie A

Interi e ka bërë edhe një hap tjetër të rëndësishëm për ta siguruar një vend në top katërshe në Serie A, pasi e mundi 2:0 Chievon e rënë nga liga tashmë.

Marketing

Matteo Politano dhe Ivan Perisic shënuan dy golat e fitores së parë të Interit pas katër ndeshjeve në ligë të hënën në Giuseppe Meazza, raporton Gazeta Express.

Zikaltrit e kishin humbur pozitën e tretë ndaj Atalantës përkohësisht pas një ecurie negative, por tani e rikthen atë dy javë para fundit të këtij sezoni në Serie A.
Skuadra e Luciano Spallettit tani grumbullon 66 pikë, një më shumë se vendi i katërt dhe katër më shumë se vendi i pestë dhe gjashtë, Milani dhe Roma, prandaj një fitore javën e ardhme ndaj Napolit do t’ia siguronte edhe matematikisht pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të garës më elitare evropiane për klube.

Politano kaloi Interin në epërsi në minutën e 36-të, duke e lënë të shtangur portierin vizitor pas një goditjeje për toke nga rreth 16 metra largësi që përfundoi në qoshen e majtë të portës.

Zikaltrit vuajtën për ta gjetur golin e sigurisë përkundër rasteve të shumta dhe dominimit, të cilin e arriti vetëm katër minuta para fundit, kur Ivan Perisic shënoi nga afërsia pas një topi të kthyer nga shtylla e goditur nga Cedirc Soares.
Chievo, që kohë më parë ka rënë edhe matematikisht në Serie B, nuk pati asnjë goditje në kornizën e Samir Handanovic.