Interpelancë për ministrin Dimitrov

Në Kuvend sot do të mbahet seanca e 81-të ku në rend dite janë disa pika, mes tyre edhe propozimi i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE për interpelancën e thirrur për ministrin e jashtëm Nikolla Dimitrov.

24 deputetët e VMRO-DPMNE-së, që nënshkruan iniciativën nënvizuan se “ministri Dimitrov funksionin e ka kryer me neglizhencë dhe nënvlerësim ndaj popullit, veçanërisht me anë të deklaratave të tij publike në Kuvend, në mënyra jashtëzakonisht poshtëruese për kombin maqedonas duke e quajtur ‘komb me komplekse’, me të cilin e ka dëmtuar reputacionin dhe dinjitetin e popullit maqedonas dhe të gjithë kombit të Republikës së Maqedonisë si një shtet i pavarur duke marrë parasysh se bartës të sovranitetit janë pikërisht qytetarët.”

Në rend dite të seancës së Kuvendit është edhe debate për nismën qytetare për grumbullimin e së paki 150 mijë nënshkrimeve për shpalljen e referendumit plotësues. Deputetët gjithashtu do të zgjedhin anëtarët e Komisionit të Agjencisë për komunikime elektronike.