‘Irredentizmi’, përmendoret me mbishkrime të reja

Ndonëse për hir të miqësisë me fqinjin jugor u planifikua që disa përmendore të shemben, atyre do tu shtohen vetëm mbishkrime, të cilat përcaktojnë periudhën historike që ju përkasin.

Marketing

Nga Kryeministria thonë se janë duke e përpiluar listën e përmendoreve dhe objekteve tjera kulturore, duke mos precizuar se cilat monumente tjera do të pësojnë ndryshime. Dy prej tyre dihen.

“Në Përmendoren ‘Luftëtari mbi kalë’ do të vendoset mbishkrimi se Aleksandri i Madh i takon periudhës helene. Sipas Marrëveshjes së Prespës, të njëjtin fat do ta ketë edhe babai i tij, Filipi II.”

Nga Ministria e Kulturës thonë se ende nuk kanë arritur urdhëresat nga Grupi Ndërresor i Punës.

Ministria e Kulturës në afat prej 6 muajsh nga hyrja në fuqi e amendamenteve prej 33 deri në 37 të Kushtetutës së RMV-së dhe të Ligjit kushtetues, ngarkohet të bëj kontroll dhe revizion të statusit të përmendoreve, godinave publike dhe infrastrukturës, të cilat kanë të bëjnë me historinë dhe civilizimin helen antik, si pjesë e trashëgimisë historike të Greqisë, të ndërmerren masa dhe aktivitete korrigjuese përkatëse – tha Nurxhan Alilovska, Zëdhënëse e Ministrisë së Kulturës.

Por, historianët nuk ndajnë mendimin e njëjtë. Disa thonë se përmendoret duhet t’i ofrojnë popujt siç e kanë të përbashkët edhe të kaluarën e tyre. Të tjerët thonë se këto ndryshime do të shkaktojnë revoltë, duke cenuar trashëgiminë kulturore dhe identitetin kombëtar të maqedonasve.

Me vetë faktin se kur u bë projekti ‘Shkupi 2014’ u vendosën këto përmendore në kryeqytet, pa ndonjë debat akademik, kjo lë hapësirë që këto figura kryesisht kishin një konotacion politik – u shpreh Isamedin Azizi, Historian.

Personalisht nuk e di se si do të pritet, ky do të jetë rast ‘precedent’ në historinë e cilit do qoftë shtet. Kam parë shumë përmendore nëpër botë, të cilat simbolizojnë një figurë apo një grup njerëzish që prezantohen. Nëse e shpjegojnë, nuk e di si do të duket, por druaj se do të ketë revoltë -theksoi Mire Mlladenovski, historian.

Ekzekutivi grek hoqi dorë nga kërkesa për t’i larguar nga Shkupi monumentet irredentiste, siç i quante fillimisht. Kurse, ekzekutivi maqedonas pranoi që disa përmendore të projektit “Shkupi 2014” të vlerësohen si histori e përbashkët evropiane. Kjo qëndron edhe në pikën 2, neni 8, të Marrëveshjes së Prespës ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, pikë e cila duhet të zbatohet brenda 6 muajve.