Ish deputetët dëshmuan për ngjarjet e 27 prillit

Seanca kuvendore e 27 prillit të vitit 2017 me kërkesë të LSDM-së, është caktuar të vazhdojë ditën e ardhshme më 28 prill. Këtë sot në gjykim për organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend, e deklaroi dëshmitari Stojan Millanov, zëvendëskryesues i seancës, i cili theksoi se kjo kërkesë është pranuar nga kryetari Trajko Veljanovski, tani i akuzuar si njëri nga organizatorët e ngjarjeve të dhunshme në shtëpinë ligjdhënëse.

Marketing

“Me përgjegjësi pohoj se nuk kam pasur kurrfarë informacioni për atë çka ndodhi më 27 prill. Gjithashtu nuk kishte kurrfarë organizimi nga Kratova, nga ana e Partisë Socialiste të Maqedonisë, për 27 prillin”, tha dëshmitari Millanov, i cili është deputet aktual në Kuvend. Në përvojën e tij si deputet ai shtoi se nuk kujtohet ndonjëherë të ndërpritet debati për ndonjë pikë të caktuar në Kuvend, dhe të vazhdohet me pikë tjetër në rend dite.

Deklaratë të ngjashme para gjykatës dha edhe dëshmitari, ish deputet i VMRO-DPMNE-së, Boris Zmejkovski, i cili theksoi se vetëm njëherë ka marrë pjesë në protestat e organizuara nga “Për Maqedoni të Përbashkët”.

“Ato protesta në atë periudhë i kam mbështetur. Individualisht njëherë kam marrë pjesë. Me personat Spiro Ristovski dhe Mile Janakievski, nuk kam pasur kurrfarë kontakti. Për “Platformën tiranase”, është diskutuar midis deputetëve dhe në mediume”, deklaroi dëshmitari Zmejkovski.

Në seancën e sotme ishte parashikuar si dëshmitar të paraqitet edhe kryeparlamenti aktual, Talat Xhaferi, por për shkak të obligimeve të tij ditore dhe dëshmitarëve të mëparshëm në rastin për “organizatorët e 27 prillit”, ai do të dëshmojë në disa nga seancat e ardhshme gjyqësore. Kryeparlamentari Xhaferi si dëshmitar në këtë lëndë është propozuar nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit Trajko Veljanovski.

Lëndën e udhëheq gjykatësi Ilija Tërpkov, ndërsa përfaqësuese e akuzës është Vilma Ruskovska.

Janë akuzuar ish kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, ish ministrat e transportit dhe lidhjeve, arsimit, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski, si dhe ish drejtori i DSK-së, Vlladimir Atanasovski. Ata akuzohen për vepër penale të kryer “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.

Marketing