Ish të punësuarit në OHIS: Kemi punuar pa kurrfarë mbrojtje!

Pjesën më të madhe të punës së tyre, ish të punësuarit në Ohis e kanë kaluar shumë pranë kimikateve dhe substancave më të rrezikshme. Pjesa e madhe e këtyre njerëzve kanë qenë pjesë e procesit të prodhimtarisë dhe kanë qenë drejtpërdrejtë të ekspozuar ndaj kimikateve. Uniforma mbrojtëse rregullisht kanë pasur deri në vitin 2001-2002, ndërsa më pas kushtet e punës kanë filluar të vështirësohen, janë anuluar kontrollimet mjekësore sistematike, deklaron për Alsat M, Venci Hristov i cili thuajse dy dekada ka punuar i ekspozuar ndaj kimikateve të rënda.

Nuk ke uniformë pune, duhet ta marrësh nga shtëpia, duhet ta lash dhe ta kthesh sërish dhe do griset, ashtu e ke punën. Pastaj nuk ka! (A ishit të vetëdijshëm me çka punoni?) Ne kemi qenë të vetëdijshëm por nuk kemi pasur ku të denoncojmë. Do themi se na ka munguar edhe materiali, pajisjet mbrojtëse, prisni me muaj dhe na thonë, nuk ka!”-tha Venci Hristov, ish i punësuar në Ohis

Punëtorët që ishin në repartin e prodhimit shpesh ankoheshin për dhimbje koke dhe shumë më shpesh shkonin në pushim mjekësor për dallim nga të punësuarit tjerë, thotë Hristov. Por asgjë nuk vlejnë një apo dy muaj në shtëpi kur sërish ktheheni në fabrikë.

Nga viti 2013 me sa di unë kishin mbetur rreth 850 persona që kanë punuar në Ohis. Prej tyre, nëse jo më shumë, garant 200 persona tashmë kanë vdekur. E dini pse, kemi punuar në fabrikë kimike, të rrezikuar nga kimikatet. Shumica kanë pasur sulme në zemër, shkatërrim të nervave, problem me organet e frymëmarrjes, për kokën të mos flas, çdo ditë jemi helmuar me hapa(pilula)”-pohoi Veni Hristov, ish i punësuar në Ohis.

Lindani dhe Vinil kloruri që janë nga kimikatet më të rrezikshme, në oborrin e Ohisit gjenden me sasi të mëdha. Këtë dje e konfirmuan edhe kompetentët. Për incidentin e të premtes kur u shkaktua derdhje e ujit me të cilin pastrohen kimikatet, ish të punësuarit në Ohis shpresojnë se do jetë paralajmërim për të gjithë, pasi nëse ndodhë ndonjë avari më serioze pasojat do ishin fatale për gjysmën e Shkupit. Edhe përkundër kushteve të vështira në të cilat kanë punuar këta njerëz, shteti me vite të tëra u ka borxh 24 rroga. Ata thonë se nuk do heqin dorë nga paratë e tyre të fituara.

evn