Ismet Guri: “Titanik 3”, gjykim me urdhër politik

Gjykim politik dhe asgjë më tepër. Kështu në një deklaratë për gazetën KOHA thotë i akuzuari i rastit “Titanik 3”, Ismet Guri, ndërsa komenton rrjedhën e gjithë procesit gjyqësor që në fillim të hetimit e deri në seancën e djeshme, kur pala mbrojtëse kërkoi ekspertizë grafologjike të nënshkrimeve në procesverbalet e rezultatit të zgjedhjeve komunale të vitit 2013 në Komunën e Çairit. Gjykatësja e re e lëndës, Mirjana Kletniçka, nuk pranoi propozimin e palës mbrojtëse të Gurit dhe deputetit Ejup Alimi, që të bëhet ekspertiza e nënshkrimeve në procesverbale, si dëshmi kryesore se të njëjtit nuk e kanë dëmtuar procesin zgjedhor.

“Akuza kryesore e Prokurorisë Speciale është se kemi dëmtuar dhe ndryshuar nënshkrimet në procesverbale. Unë si sekretar Komisioni zgjedhor, nuk kam asnjë nënshkrim në asnjë vend, pasi sekretari vetëm organizon procesin zgjedhor. Dëshmitari aktuale i PSP-së, dikur i akuzuar, ma ka përmend emrin se unë kam nënshkruar dhe ndryshuar gjysmën e nënshkrimeve. Dhe për të vërtetuar këtë, kërkuam ekspertizë grafologjie, gjë që nuk e lejua, sepse me këtë ekspertizë, del se dëshmitari i PSP-së është ai që ka bërë gjithë falsifikimin dhe me këtë, lënda do të shpallej e pabazë. Ose, do të duhej të dënoheshin anëtarët e Komisionit, konkretisht dëshmitarët kryesor të PSP-së”, thotë Guri, ndërsa akuzon se aktakuza tashmë u dëshmua se është politike, vetëm e vetëm për të dëmtuar BDI-në si parti meqë akuzon dy zyrtarë të lartë të saj. Ai përmend se i akuzuari i dytë, Ejup Alimi, u përmend në aktakuzë pasi u zgjodh deputet dhe jo në fillim të hetimit.

Tjetër dilemë e të akuzuarve në “Titanik 3” është se, si është e mundur që fillimisht anëtarët e Komisionit zgjedhor ishin palë e akuzuar, që më pas të dalin të paprekur, konkretisht të shpallen dëshmitarë të PSP-së.

“Që atëherë e kuptuam se PSP kërkon koka më të mëdha, sepse dëshmitari Blerim Muhaxheri, Qani Toçi dhe Resmije Bislimovska nuk janë interes i PSP-së dhe politikës ditore. Ata kërkonin të godisnin BDI-në më lart. Kërkonin peshë politike”, thonë të akuzuarit e “Titanik 3”. Konkretisht, kryetari i Komisionit, Blerim Muhaxheri, zëvendësanëtari Qani Toçi dhe anëtarja e statistikës, Resmije Bislimovska, nga të akuzuar, u shndërruan në dëshmitarë të Prokurorisë Speciale. Toçi në hetuesi, por edhe në seancat gjyqësore kishte pranuar se ka ndryshuar nënshkrimet e anëtarëve tjerë të Komisionit, ndërkohë kalimthi e përmend Ejup Alimin, se ka parë “duke marrë” procesverbalet nga zyra e Resmije Bislimovskës, ndërsa për Gurin thotë se gjysmën e nënshkrimeve i ka ndryshuar, derisa gjysmën tjetër vet ai.
“E pyeta në seancë se cilët janë ato gjysma të nënshkrimeve dhe përgjigje nuk morëm. Kjo është edhe arsyeja pse kërkuam ekspertizë grafologjie”, tregon Guri, ndërsa thotë se “vula” se bëhet fjalë për gjykim politik u vu kur gjykatësja Olja Ristova, dha dorëheqje nga lënda me akuzë se ka presione nga PSP dhe nga kryeprokurorja Katica Janeva.
Madje, të akuzuarit thonë se asnjë nga dhjetëra dëshmitarë të rastit, në fillimet e hetimit para prokurores Lile Stefanova dhe Burim Rustemi, nuk e kanë përmendur as Gurin dhe as Alimin, por se emrat e tyre dolën pasi lëndën e mori prokuroja Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski. Nëse në rastin “Titanik 2” u dënuan edhe anëtarë të Komisionit zgjedhor, në “Titanik 3”, asnjë anëtarë i Komisionit komunal zgjedhor, nuk gjendet në listën e të akuzuarve.

“Ish-gjykatësja Olja Ristova nuk e pranoi dëshminë e shkruar të dëshmitares Resmije Bislimovska, pasi kërkoi sigurimin e saj në gjykatë. Gjykatësja atëkohë u njoftua se gjatë dhënies së dëshmisë në PSP, asnjë nga avokatët tanë nuk kanë qenë të pranishëm që të vërtetojnë dhe dëgjojnë dëshminë. Dhe, me këtë pranoi se pala mbrojtëse dhe ne si të akuzuar kemi të drejtë ti parashtrojmë pyetje dëshmitares. Dhe këtu filloi nervoza e PSP-së dhe filluan presionet ndaj gjykatëse Ristova, me çka edhe ajo pranoi se ka presione dhe u dorëhoq”, thotë Guri, ndërsa shton se pafajësinë e tij e ka vërtetuar me atë që nuk ka propozuar asnjë dëshmitarë.

Dhe tani, kur lëndën e udhëheq gjykatësja Marija Kletiçka, gjërat kanë ndryshuar. Guri shprehet se asnjë kërkesë e palës mbrojtëse nuk është pranuar nga kjo gjykatëse, ndërsa përveç ekspertizës grafologjike, Kletiçka ka refuzuar edhe sigurimin e dëshmitares kyçe, Resmilje Bislimovska, për të cilën PSP ka thënë se është zhvendosur në Gjermani.

Se është gjykim politik, thotë Guri, është edhe rasti me kërcënimin me padi për avokatin mbrojtës se paska sharë dhe fyer prokurorin Bubevski. “Kur u pa se gjykatësja Ristova nuk pranon dëshmi të shkruar vetëm në hetuesi, pa u siguruar para të akuzuarve, prokurorja Fetai kërcënoi me padi edhe avokatin mbrojtëse se, sipas saj, paska ‘kërcënuar me jetë’, diku në një vendparkim, kolegun e saj Gavrill Bubevski. Kjo deklaratë e saj ishte vetëm vazhdim i presioneve kundrejt lëndës”.

Ndryshe, lënda “Titanik 3” pritet të vazhdojë më 26 gusht, ndërsa kanë mbetur edhe dy-tre seanca deri në përfundimin e gjykimit. Nga tre të akuzuar fillimisht, pjesë e Komisionit zgjedhor, tashmë të akuzuar janë dy zyrtarët e BDI-së, koordinatori i deputetëve Ejup Alimi dhe zëvendësdrejtori i Drejtorisë për të Ardhura Publike në Shkup, Ismet Guri.