“Ist gejt” – kompleks modern me ndërtesa, qendra tregtare dhe parqe në Shkup

Investim prej 350 milionë euro, përmes 250 dyqaneve me brende botërore dhe mbi 2.000 vende pune do të sjellë projekti “Ist gejt” që grupacioni “Balfin” e prezantoi si vizion të saj për simbol të ri dhe modern të Shkupit.

“Ist gejt” është planifikuar që të përfshijë 152.000 metra katrorë sipërfaqe. I vendosur në më pak se dy kilometra nga qendra e qytetit, në afërsi të rrugëve kryesore, do të ketë qendër tregtare, pjesë për banim dhe park zyrash nga klasi më i lartë.

Projekti, pas të cilit qëndron grupacioni “Balfin”, mbrëmë iu prezantua kryeministrit Zoran Zaev.

“Kjo mrekulli e vogël e re që sonte e ofroni përmes ekraneve, ndërsa në praktikë do të jetë diçka që do ta zbukurojë kryeqytetin e Maqedonisë, jam i bindur se edhe një herë do ta konfirmojë kreativitetin tuaj afarist, do të ndihmojë në rritjen ekonomike të Maqedonisë, do të hapë vende të reja të punës dhe gjithsesi, do të jetë diçka që do të jetë e jona, e përbashkët”, theksoi Zaev.

“Ist gejt” do të përmbajë qendër tregtare me neto sipërfaqe për dhënie me qira prej 51.000 metra katrorë, kompleks rezidencial me 1.600 njësi banesore dhe pesë ndërtesa zyrash me sipërfaqe të përgjithshme për dhënie me qira prej 67.000 metra katrorë. Shoping qendra do të jetë më e madhja në rajonin e Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë Jugore dhe përveç numrit të madh të brendeve botërore, do të ketë shumë përmbajtje për zbavitje, fitnes dhe parking për më shumë se 2.000 automobila.

Kompleksi banesor do të ketë parqe, përmbajtje rekreative, dy amfiteatro, si dhe sipërfaqe të gjelbër prej 25.000 metra katrorë.

Në këtë fazë mendohet që “Iste gejt” të bëhet lagjja e parë në Shkup banesat e të cilës do të jenë të kyçura në gaz natyror për amvisëri. Krahas segmenteve për shoping dhe për banim, projekti do ta përmbajë edhe parkun e parë të zyrave në vend nga klasa “A”. Këto objekte do të jenë të vendosura në afërsi të bulevardit “Aleksandri i Maqedonisë”, që qiraxhinjve të ardhshëm do t’u sigurojë pamje unike. I gjithë projekti planifikohet të përfundojë në periudhë prej pesë deri në shtatë vite.

Autor i projektit është një nga studiot më të mëdha arkitektonike në Turqi, Yazgan Design Architecture Inc. e cila ka fituar një sërë çmime ndërkombëtare si LEAF, European dhe International Property Awards për projekte si Hamamyolu Urban Deck – Eskisehir, YDA Center Ankara dhe për Volkswagen Arena Istanbul.

“‘Balfin’ është kompani biznesi i të cilës është i fokusuar jo vetëm në krijimin e vlerave ekonomike, por edhe të vlerave shoqërore në tregjet në të cilat punon. Sinqerisht dëshirojmë ta përmirësojmë jetën e bashkësisë dhe zhvillimin e tyre, ta mbrojmë mjedisin jetësor dhe ta pasurojmë procesin kulturor dhe arsimor. ‘Ist gejt’ do t’u përmbahet të gjithë atyre vlerave dhe për këtë arsye besojmë se projekti do të jetë inspirues jo vetëm për ne, por edhe për Shkupin, për Maqedoninë, por edhe më gjerë”, theksoi kryetari i “Balfin”-it Samir Mane.

“Balfin” e realizon “Siti moll”, ndërsa qëndron edhe pas projekteve të tjera midis të cilave Rolling Hills Luxury Residences dhe Green Coast Resort, si dhe rrjetin e dyqaneve “Neptun”.