Itali, anija e pasagjerëve vendoset në karantinë për shkak të dyshimeve për koronavirusin

Një anije e madhe pasagjerësh që po lundronte në Mesdhe ka ankoruar në portin e qytetit italian Civitavvechia për shkak të temperaturës së lartë trupore të vërejtur te një çift kinez që gjendej brenda mjetit lundrues.

Marketing

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, në anijen e firmës Costa Crociere gjendeshin 6.000 pasagjerë.

Çifti kinez i dyshuar për prani të koronavirusit të ri (2019-nCoV) fillimisht është trajtuar në infirmierinë e anijes, ndërsa më pas është dërguar në Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive Lazzaro Spallanzani në Romë.

Në kuadër të masave preventive, dhoma e çiftit kinez dhe dhomat e pasagjerëve në afërsi janë zbrazur dhe vendosur në karantinë.

Siç pohohet, në anije gjendeshin 751 pasagjerë kinezë.

Ndryshe, koronavirusi deri më tani ka marrë jetën e të paktën 170 njerëzve në Kinë, ndërsa mbi 7.000 janë infektuar. Po ashtu, më shumë se 60.000 njerëz kanë qenë nën vëzhgimin mjekësor.

Që nga shpërthimi i epidemisë në fund të vitit të kaluar, Kina e ka vendosur qytetin Wuhan, ku u shfaq virusi, nën një bllokim në përpjekje për ta parandaluar përhapjen.

Përveç Kinës, raste të virusit janë regjistruar edhe në Japoni, Korenë e Jugut, Tajlandë, SHBA, Singapor, Francë, Gjermani, Vietnam dhe Kanada.

Udhëtarët nga Kina po kontrollohen në aeroportet në mbarë botën, ndërkohë që disa linja ajrore kanë pezulluar fluturimet për në Wuhan.

Marketing