ITSHKSH: “Kujtojmë Alfabetin dhe falënderojmë Amerikën!”

Sot filluan aktivitetet për shënimin e 11-vjetorit të themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, që përkon me 110-vjetorin e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir.

Marketing

Me këtë rast drejtori i Institutit, Skender Asani, prezantoi një zbulim të David Haseflook, që sjell një risi për himnin e alfabetit, melodia e të cilit është përdorur nga studentët e Kolegjit ‘Jale’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kur jemi këtu, meqë ne jemi të vendosur në një objekt që për vite të tëra ka qenë seli e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, dëshirojmë t’ju themi se ky për shqiptarët nuk është një objekt dosido, por ai është një monument që shënjon një histori, një kujtesë, dhe që flet edhe me muret dhe kthinat e veta. Në këtë objekt ka punuar miku i shqiptarëve dhe zgjidhësi i konfliktit të Kosovës, Ambasadori Hill, Ambasadori Riker e shumë të tjerë.

Prandaj, ne konsiderojmë se ky objekt sot më ka peshë dhe rëndësi historike, dhe për këtë arsye ne kemi vendosur që në këtë ditë ta vendosim një pllakë që do të jetë shenja mbrojtëse e asaj kujtese dhe ura që do ta lidhë të kaluarën dhe të tashmen tonë”, u shpreh Asani.

Më pas studiuesi David Haseflook, prezantoi punimin e tij rreth origjinës së panjohur të Himnit të Alfabetit. Ai tha se në vitin 1909, Parashqevi Qiriazi shkroi “Himnin e alfabetit”, botoi një abetare me alfabetin e ri, si edhe themeloi shoqërinë kombëtare për gra “Yll’ i Mëngjezit”.

Sipas Hosaflook, kur erdhi koha që Parashqevisë i duhej një muzikë e mirë për të frymëzuar shqiptarët për t’u bashkuar dhe për të ruajtur besën e dhënë në Kongresin e Manastirit, përballë trysnisë së krijuar nga xhonturqit, të cilët kundërshtonin alfabetin e ri, ajo e shfrytëzoi melodinë që ende oshtinte në kokën e saj prej vitesh (nga studimet e saj në SHBA), duke qenë e sigurt se ajo muzikë mund të këndohej lehtë dhe se do të kujtohej për një kohë të gjatë, deri në ditët tona.

Marketing