ITSHKSH përkujtoi 55–vjetorin e ndihmës amerikane për Shkupin

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në vazhdën e angazhimeve për shpalosjen e të vërtetave historike shkencore, me rastin e përkujtimit të tërmetit të vitit 1963, sot hapi ekspozitën dokumentare me temë: “55 – vjetori i ndihmës amerikane për Shkupin”.

Në fillim, organizatori i kësaj ekspozite, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, dr. Skender Asani, tha se “të gjendur në këtë përvjetor, duke gjurmuar në Arkivin e Qytetit të Shkupit, kemi gjetur dokumente dhe fotografi të vlefshme që e dokumentojnë ndihmën amerikane para 55 vjetëve, ndërsa janë freski e kujtesës kolektive, se jorastësisht SHBA-të edhe sot janë në anën tonë. Nga ky material është krijuar edhe ekspozita e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me titull “55-vjetori i ndihmës amerikane për Shkupin”. Le të jetë kjo ekspozitë falënderimi që po e bëjmë ne në emër të Shkupit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e para gjysmëshekullit, por edhe për atë që e bën sot ky vend mik për ne”, theksoi drejtori Asani.

Në hapje të ekspozitës mori pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë, dr.Arbër Ademi, i cili tha se “ne jemi me fat, që edhe tani kemi një aleat të sinqertë, të fuqishëm dhe një mik të madh në zhvillimin e proceseve progresive. SHBA-ja edhe sot është një nga mbështetësit kryesor të angazhimeve tona të pareshtura drejt integrimeve euro-atlantike. Për këtë u jemi falënderues administratës dhe popullit amerikan, i cili gjithherë na gjendet pranë në momentet më të vështira, si një mik i vërtetë dhe i përhershëm”, tha u shpreh ministri Ademi.

Fjalë rasti mbajti edhe përfaqësuesi i ambasadës amerikane në Shkup, z.Benjamin Lingeman, i cili bëri një retrospektivë të shkurtër të angazhimit amerikan gjatë tërmetit të Shkupit, dhe falënderoi Institutin që është kujdesur për ta përkujtuar aktivitetin solidar të SHBA-së.

Në këtë ngjarje prezantoi edhe ambasadori shqiptar, Fatos Reka, drejtoresha e Galerisë Nacionale të Maqedonisë, Jeta Starova – Qerimi, një delegacion nga Kosova i udhëhequr nga Mehmet Prishtina, etj.

Ndryshe, sot u mbushen 55 vjet nga tërmeti katastrofal i Shkupit i vitit 1963, i cili e goditi kryeqendrën e Republikës së Maqedonisë në orën pesë e 17 minuta. Në atë tragjedi natyrore, jetën e humbën 1.070 persona, ndërsa u lënduan 3.000 të tjerë. U shkatërruan 15.800 ndërtesa, u dëmtuan 28.000 të tjera, dhe mbi 200.000 persona mbetën pa kulm mbi kokë.

Ndër të parat që vende që u kujdesën për ndihmë Shkupit dhe shkupjanëve, ishin SHBA-të, të cilat sollën ndihma të shumta humanitare dhe mjete financiare, madje duke ngritur lagje të tëra. Për gjithë këtë angazhim të SHBA-ve në rindërtimin e Shkupit, flasin 14 panelet e ekspozitës, ku pasqyrohet angazhimi i popullit amerikan. Panelet janë përgatitur nga dokumentet e hulumtuara nga Arkivi i Qytetit të Shkupit, si dhe shtypi amerikan, anglez dhe jugosllav i kohës.

evn