ITSHKSH, shënohet 20 vjetori i eksodit të shqiptarëve nga Kosova

Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u shënua 20-vjetori i eksodit të shqiptarëve nga Kosova, kur në pranverën ‘99-tës, afër gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës u deportuan dhunshëm drejt Bllacës, dhe po aq edhe nëpër shtigjet tjera kufitare. Qindra-mijëra fëmijë, gra e pleq, risillnin në kohë moderne imazhet e zymta të deportimit të hebrenjve nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Marketing

Në këtë kohë, përkundër plogështisë së strukturave qeveritare për të mirëpritur të ikurit nga lufta, populli zemërbardhë i këtyre viseve, pati një solidarizim të jashtëzakonshëm me vëllezërit e tyre në nevojë andej kufirit. Menjëherë u mobilizuan përmes shtabeve emergjente vullnetare e shoqatave të ndryshme humanitare, për t’i furnizuar të dëbuarit me bukë e ujë, veshmbathje e strehim.

Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-Shkup, tha se tani në bashkëpunim me qeveritë e Kosovës dhe Maqedonisë, po bëhen përpjekje serioze për memorizimin e atyre ngjarjeve, pikërisht në Bllacë, në vendin e kalvarit dhe vuajtjeve të pafundme.

Ndërsa, Jahja Lluka, Kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, me seli në Prishtinë, dhe njëherësh këshilltar i kryeministrit Haradinaj, tha se në vitin 1999 Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar nga Kosova, duke riaktivizuar planet e vjetra gjenocide. Ai duke falënderuar ndihmën e pakursyer të vëllezërve të gjakut nga Maqedonia, informoi se më 10 prill në Bllacë do të inaugurohet muzeu, bashkë me trenin i cili kishte bartur të deportuarit.

Dr. Sait Saiti, Sekretar i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq në Maqedoninë e Veriut, informoi rreth aktiviteteve humanitare për përballjen me fluksin e prej mbi 440.000 të dëbuarve nga Kosova në Maqedoni, prej të cilëve afër 60 për qind ishin akomoduar nëpër familjet e këtushme shqiptare.

Dr. Zeqirija Ibrahimi, bashkëpunëtor i lartë shkencor në ITSHKSH dhe ish-aktivist në kohën e krizës humanitare në Bllacë, tha se ajo që ka ndodhur para 20 vjetëve në Bllacë ka qenë spastrim etnik, dhe kjo gjë duhet të thuhet qartë edhe sot para botës, për të argumentuar të drejtën tonë të natyrshme.

Në debat morën pjesë edhe punëtorët tjerë shkencor të Institutit, të cilët ritheksuan nevojën e publikimit të fakteve historike, në mënyrë që të njëjtat të mos zbehen dhe humbin origjinalitetin.