ITSHKSH u bë me shtëpi!

Sot ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arbër Ademi, drejtorit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Skender Asani, ia dorëzoi vendimin për pronësinë e objektit të Institutit.

Marketing

Lajmin e dha vetë ministri Ademi, i cili në një postim të tij shkroi: “Me kënaqësi të madhe, në prezencën e kryetarit Ali Ahmeti, nënkryetarit Mexhiti dhe Sekretarit organizativ të BDI-së, Artan Grubi, drejtorit të Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore Shqiptare, Skender Asani, iu dorëzua vendimi për shfrytëzim të përhershëm të objektit në të cilin vepron ky institucion. Bëhet fjalë për objektin e njohur si ish-Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në bulevardin ‘Ilinden’, në Komunën e Karposhit, ku ITSHKSH-ja është e vendosur që në vitin 2010”.

Ndërsa, drejtori i Institutit, Skender Asani, këtë akt e vlerëson si një moment historik dhe shumë të rëndësishëm për punën e Institutit, i cili deri më tani ka punuar pa pasur një adresë të veten. “Besoj se kjo është një mirënjohje dhe vlerësim për punën e Institutit, i cili gjithnjë e më tepër po etablohet në botën shkencore, duke qenë aktual dhe në hap me zhvillimet që ndodhin, jo vetëm se në kornizën brendashqiptare, por edhe jashtë saj”, u shpreh drejtori Asani.

Ai me këtë rast falënderoi kryetarin Ahmeti, ministrin Ademi dhe të gjithë ata që u angazhuan sinqerisht dhe në forma të ndryshme, që Instituti më në fund të merr atë që i takon dhe që e meriton, në mënyrë që t’i kryejë pa pengesa obligimet e veta.

Objekti ku më parë ndodhej ish-ambasada amerikane, ka nevojë për ndërhyrje serioze dhe adaptim të ri të hapësirave të brendshme dhe të jashtme, për përmbushjen e nevojave të punës kërkimore – shkencore të Institutit.