ITSHKSHM: Republika e Kosovës është fqinj verior i Republikës së Maqedonisë së Veriut

Këto ditë doli nga shtypi “Atlasi gjuhësor i dialekteve maqedonase” (Лингвистички атлас на македонските дијалекти), botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), një botim që meriton respekt shkencor si arritje e rëndësishme shkencore në fushën e gjuhësisë maqedonase, përkatësisht dialektologjisë.

Marketing

Megjithatë, sic reagojnë nga ITSHKSHM-ja, gjatë vendosjes së hartave – rastësisht ose gabimisht – vërejmë se aty nuk është respektuar realiteti faktik politik në raport me fqinjin tonë verior (Republika e Kosovës), duke e shkruar “Serbi” (Kosovë).

Siç e dimë, thuhet më tej në reagim,  që nga vitit 2008 Republika e Maqedonisë së Veriut e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, madje ka vendosur edhe marrëdhënie diplomatike në nivel të ambasadave dhe deri tash nuk është shënuar ndonjë element me të cilin mund të jenë cenuar këto marrëdhënie.

Nisur nga kjo, vazhdon reagimi, duke i pasur në konsideratë këto relacione ndërshtetërore dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, si dhe duke e pasur para sysh se “lëshimet” e këtilla vijnë në kohën kur po zhvillohen bisedime mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për njohje të ndërsjellë, kujtojmë se ato shumë lehtë mund të lënë shije të keqe në këto marrëdhënie të mira dhe, madje, të merren si qëndrim ose paragjykim i ASHAM-it në lidhje me atë se kush është ose kush duhet të jetë fqinji ynë verior.

Prandaj duke u nisur edhe nga ndjeshmëria e kësaj teme te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, që sigurisht janë një element që kaq shumë ka kontribuar për qëndrueshmërinë e këtij shteti dhe vazhdon të jetë element konstruktiv, konsiderojmë se korrigjimi i këtij lëshimi do t’u kontribuonte marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore me Republikën e Kosovës, kohezionit të brendshëm ndëretnik në vendin tonë, por edhe marrëdhënieve të mira kolegjiale mes Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë – thuhet në reagimin e ITSHKSHM-së.

Marketing