Iu dhemb fort medalja e artë e Distrias, mediat serbe vetëkënaqen duke ia shtuar Kosovës “tzv”

Nuk janë vetëm krerët shtetëror dhe politikanët serbë në Beograd, që nuk po mund ta pranojnë realitetin e ekzistimit të shtetit me emrin Republika e Kosovës, por një gjë të tillë s’po mund ta gëlltisin as mediat e ‘pavarura’ serbe.

Marketing

Shembulli më i mirë i urrejtjes patologjike serbe, është medalja e artë e fituar sot nga xhudistja kosovare Distria Krasniqi në Lojërat Olimpike në Tokio, shkruan Telegrafi.

Mediat serbe raportuan se xhudistja kosovare fitoi sot të artën në Tokio, por shtetit tonë iu referuan me “takozvano Kosovo” (e ashtuquajtura Kosovë”, e në disa raste edhe “lažna država Kosovo” (shteti i rremë Kosova), ose edhe me fusnotë tek emri Kosovë.

Në krejt këtë frustrim medial serb, mungoi vetëm ta quanin edhe medaljen e Distrias “e ashtuquajtura medalje e artë” në të “ashtuquajturën Olimpiadë”, në të cilën po marrin pjesë edhe vetë.

Të përkujtojmë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë një pritje që u kishte bërë anëtarëve të ekipit olimpik të Serbisë, para nisjes së tyre në Tokio, u kishte dhënë ‘leksione’ se si të sillen me garuesit nga Republika e Kosovës.

Ai kishte thënë se xhudistët serbë në përballje me kundërshtarët kosovar duhet të jenë të qetë dhe se thjeshtë duhet ta bëjnë punën e tyre dhe se politika, sipas tij, nuk do të ndërhyjë.

“Milica dhe Marica, meqenëse do të keni një konkurrent nga e ashtuquajtura Kosova në garë, mos u shqetësoni për asgjë. Ju luani sporte. Fito ose humbi, mos u shqetëso, ne do të jemi me ty. Thjesht bëj punën tënde dhe asgjë tjetër. Ne nuk do t’ju detyrojmë të bëni veprime politike ose asgjë, ne do t’ju mbështesim dhe do t’ju duam dhe nuk do t’ju kërkojmë asgjë”, u kishte thënë Vuçiq sportistëve serbë.

Marketing