Ivanov do të përfundojë në burg?!

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov dhe qeveria e Maqedonisë po shkëmbejnë akuza në lidhje me ngjarjet e dhunshme të vitit të kaluar në parlament. Presidenti Ivanov i hedh poshtë akuzat se ai po planifikonte shpalljen e gjendjes së luftës në vend, natën e 27 prillit të 2017-s kur turma e sulmuesve hyri më forcë në parlament dhe ushtroi dhunë ndaj ligjvënësve.

Marketing

Ndërkohë, siç raporton Zëri i Amerikës, procesi gjyqësor për rastin po nxjerr në pah momente të reja që lënë të kuptohet se ish-zyrtarë të lartë të sigurisë ishin përfshirë në organizimin e ngjarjeve.

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov pas një pauze të gjatë në paraqitjet mediatike, vendosi të fliste për akuzat që ai vlerëson se po ia kurdisë pushteti në lidhje me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar në parlament.

Dëshminë e njërit prej të akzuarve në proces gjyqësor që thotë se sekretari i përgjithshëm i presidentit Ivanov ishte i pranishëm natën e 27 prillit në shtabin e VMRO-së me drejues të shërbimit sekret që po planifikonin dhunën ndaj deputetëve në parlament dhe për planin e presidentit që të shpallte gjendje të jashtëzakonshme, zoti Ivanov e ka hedhur poshtë si të pavërtetë dhe insinuata të pushtetit aktual.
“Nuk ka pasur asnjë skenar për gjendje lufte apo të jashtëzakonshme më 27 prill”, tha presidenti maqedonas, ndërsa hodhi akuza ndaj pushtetit të tanishëm dhe gjyqësorit për një skenar dhe linçim të tij dhe njerëzve të kabinetit të tij.

“Për një vit e gjysmë unë si president i Maqedonisë dhe kabineti im jemi në shënjestër të vazhdueshme të lajmeve të rreme dhe shantazheve, me qëllim që të na përziejnë në ngjarjet e 27 prillit”, tha zoti Ivanov, duke shtuar se që prej atëherë akuzohet pa dëshmi kabineti i tij. Ai thotë se po ushtrohet trysni dhe kërcënim kundër tij duke akzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim siç njihet shërbimi sekret maqedonas, me qëllim të përuljes së tij dhe heqjes dorë nga qëndrimet lidhur me zhvillimet politike në vend dhe politikat e udhëhequra nga qeveria.

Por, ai shprehet se nuk heq dorë nga qëndrimet e tij.
Prokuroria e përgjithshme nuk i ka komentuar prononcimet e presidentit maqedonas, ndërsa hetimet mbi rastin e dhunës në parlament do të zgjerohen.

Lidhja Social Demokrate në pushtet thotë se ajo s’ka të bëjë me zhvillimet në gjyqësor lidhur me rastin dhe se prokuroria e gjykatat tash janë të lira të veprojnë pa trysni politike.

Ajo që mund të ndodh, mbase është nisma për një mocion mosbesimi në parlaent ndaj zotit Ivanov, por sipas analistëve është vështirë që ai të rrëzohet nga posti, me që shumica parlamentare nuk ka dy të tretat e votave dhe po të kishte, çështja duhet të kalojë në Gjykatën Kushtetuese ku përsëri me shumicën e dy të tretave të anëtarëve do të duhej të vendoset për të ardhmen e presidentit.

Nga ana tjetër, presidentit Ivanov i kanë mbetur edhe pak muaj në detyrë. Në prill të vitit të ardhshëm duhet të mbahen zgjedhjet presidenciale. Pas zhveshjes së Ivanovit nga imuniteti nuk është për t’u habitur, sipas ekspertëve, që ai të japë llogari për pengesat që po u bën disa ligjeve për të hyrë në fuqi eventualisht edhe për rolin e tij në nxitjen e dhunës në parlament.

Marketing