Ivi Kaso: Ditën kur një politikan do të vihet në pranga, do të fillojë funksionimi i Reformës në Drejtësi

Qytetarët, nëpërmes Rinvote në Euronews Albania, kanë ngritur pyetjen kundrejt politikanëve Ulsi Manja dhe Ivi Kaso, se pse pavarësisht Reformës në Drejtësi, asnjë politikan nuk është vënë ende në pranga për vepra penale.

Sekretari për zgjedhjet i PD-së, Ivi Kaso, tha se nëse Reforma në Drejtësi do të funksiononte siç duhet, atëherë do të ishin vënë në pranga politikanë dhe zyrtarë të lartë për korrupsion.

Marketing

“Dita kur një zyrtar i lartë ose politikan do të vihej në pranga për vepra korruptive, nuk do të ishte  përfundimi me sukses i reformës në drejtësi, por vetëm dita e parë e funksionimit normal të saj”, u shpreh z. Kaso.

Ivi Kaso tha gjithashtu se për shkak të përdorimit të të gjithë instrumenteve të pushtetit nga ana e qeverisë aktuale, sistemi i drejtësisë duhet të jetë nën lupën e  shqyrtimit të drejtësisë së re dhe kjo gjë, sipas z. Kaso do të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve të 25 prillit, kur edhe do të fillojnë të gjykohen penalisht zyrtarët e lartë.

“I kanë bërë rregullat siç kanë dashur vetë, kanë përzgjedhur kë kanë dashur vetë. Gjykimi penal do të ndodhë vetëm kur drejtësia të çlirohet nga influenca politike dhe kjo ka për të ndodhur vetëm pas zgjedhjeve të 25 prillit”, u shpreh z. Kaso.

Socialisti Ulsi Manja, nga ana tjetër, i është përgjigjur qytetarëve duke thënë se korrupsioni për të është vepër penale, pavarësisht nga niveli i zyrtarëve që e konsumon këtë vepër penale. Sipas z. Manja, ligji ka parashikuar mekanizma të posaçëm që deputetët të mos kenë imunitet penal, gjë që do të vihet në veprim përmes SPAK.

“SPAK është konceptuar si strukturë e posaçme për të hetuar korrupsionin në radhët e zyrtareve të lartë, byroja kombëtare e hetimit pritet të bëhet funksionale dhe besoj se në lëndën dhe në rrjetat e SPAK do të kemi edhe politikanë që kanë përlyer duart me pasuritë publike dhe lekët e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh z. Manja.