Izraeli kryen sulme intensive në pika të ndryshme të Gazës

Izraeli në orët e natës ka kryer sulme intensive ndaj pikave të ndryshme në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Avionët luftarakë të ushtrisë izraelite kanë bombarduar shumë pika në zonat jugore, perëndimore dhe veriore të Gazës.

Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, avionët luftarakë izraelitë kanë vendosur në objektiv disa pika të forcave të rezistencës palestineze, tokat bujqësore, rrugët dhe infrastrukturën. Si pasojë e sulmeve janë shembur disa qendra të policisë në pjesën jugore dhe perëndimore të Gazës.

Marketing

Sulmet krahas disa ndërtesave dhe shtëpive shkaktuan dëme të mëdha në disa bulevarde dhe rrugë. Në zonat pranë pikave të vendosura në objektiv ka patur ndërprerje të energjisë elektrike si dhe janë dëmtuar kanalizime dhe rrjete të shpërndarjes së ujit dhe energjisë elektrike.

Avionët luftarakë të Izraelit kanë bombarduar disa shtëpi dhe toka bujqësore në qytetet Rafah dhe Khan Yunis në jug të Gazës. Më tej bëhet e ditur se anijet luftarake izraelite të pozicionuara në det kanë hapur zjarr drejt bregdetit të Gazës ku si pasojë e sulmeve janë shembur dy shtëpi në Deir al-Balah dhe në Gaza.

Në një deklaratë nga Brigadat Izz ad-Din Al-Qassam, krahu ushtarak i grupit Hamas, thuhet se në kundërpërgjigje të sulmeve të kryera ndaj civilëve janë kryer goditje me raketa ndaj disa vendbanimeve izraelite në qytetet Beersheba dhe Askalan.

Saraya Al-Quds, krahu ushtarak i Lëvizjes Xhihadi Islamik ka njoftuar se në kundërpërgjigje të sulmeve që kanë vendosur në objektiv civilët në Gaza kanë kryer sulme intensive me raketa në qytetet Sderot, Netivot dhe Hanegev të Izraelit.

Ushtria e Izraelit nga llogaria në Twitter njoftoi se në jug të vendit filloi rënia e sirenave pas lëshimit të raketave nga Gaza.

Në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë që nga 10 maji e deri më tani në Rripin e Gazës kanë humbur jetë 197 persona, përfshirë 58 fëmijë dhe 34 gra ndërsa janë plagosur 1.235 të tjerë. Po ashtu si pasojë janë shembur plotësisht ose janë bërë të papërdorshme dhjetëra ndërtesa.



. .

Marketing