Gazetarët në rajonin e Ballkanit jetojnë dhe punojnë në kushte jo të mira, përballen me censurë, rroga të ulta, frikë për të folur për kushtet e tyre. Kjo bëhe te ditur sipas një hulumtimi të titulluar “Dhuna e padukshme: Tregime nga redaksia” të realizuar në pesë vende të rajonit.

Rezultatet e këtij hulumtimi të realizuar nga pesë gazetarë të njohur rajonal u publikuan të enjten në Shkup.

Gazetarja Biljana Sekulovska theksoi se mbi 70 për qind e gazetarëve duan të ndërrojnë profesionin, 42 për qind për shkak të rrogave të ulta, ndërsa 15 për qind përmendin censurën nëpër redaksitë ku punojnë.

Mbi 32 për qind e gazetarëve nuk guxojnë të flasin publikisht për problemet dhe kushtet e pavolitshme nëpër redaksitë e tyre, për shkak të presioneve që do të pësonin.

“Ka presione politike, presione nëpër redaksi nga ana e redaktorëve, pronarëve. Pamundësia për të punuar në kushte normale dhe pamundësia për të marrë një rrogë të dinjitetshme. Gazetarët shpesh janë të nënçmuar, fyer, maltretuar nga redaktorët dhe pronarët”, ka theksuar Sekulovska.

Sipas saj, mbi 90 për qind e gazetarëve gjatë hulumtimit të bërë kanë insistuar të ngelen anonimë. Nga ky eveniment u bë thirrje që gazetarët të ngrenë zërin dhe të shprehin shqetësimet dhe problemet e tyre, por duke luftuar edhe për plotësimin e të drejtave dhe kushteve të punës. Projekti është mbështetur nga Bashkimi Evropian.