Ja ç’përmban oferta presidenciale e BDI-së

Për z. Taravari që duket të jeni një kuazimoralist tipik….

Marketing

Është e pritshme se gara presidenciale në Maqedoni do të përftojë në një moment të caktuar edhe animozitetet latente ndëretnike, e mbase në momente kritike edhe votime qashtërsisht etnike. Sidoqoftë kjo nuk është çështja kardinale. Larg më problematike sesa kjo paraqitet konceptimi i stërvjetëruar i politikëbërjes në shqiptarosferën e Maqedonisë. Ai nuk po lartohet dot në nivelin e kapshëm pragmatist të saj, duke përnjohur mundësitë dhe pamundësitë e një aksh veprimi politik. Perceptimi moralizues po e robëton aksionin politik, duke flakur nga dora mundësi të mira për të faktorizuar shqiptarët në Maqedoni.

Në katër palë zgjedhje presidenciale, qyshkur partitë shqiptare kuturisën t’i vinin kandidaturat e tyre, shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë as afër të qenurit hisedarë të postit të presidentit.

Pa përmendur këtu kompleksivitetin e realitetit elektoral në Maqedoni dhe aritmetikat që diktojnë mundësitë dhe pamundësitë, çështja e zgjedhjes së presidentit mund të jetë më pak fuqi numrash e shumë më shumë marrëveshje politike, sado që asocimet e saj nuk janë disi të këndshme për konceptimin moralist të politikëbërjes.

Nga një prapakthim në kronologjinë e zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni del se kandidatët shqiptarë, të cilësdo stemë partiake, nuk kanë arritur asnjëherë të maksimizojnë votën shqiptare.

Faktet flasin ftohtë:

• Kandidatura e Muharrem Nexhipit në zgjedhjet presidenciale të vitit 1999 mori gjithsejt 155,978 vota ose 15.0%. Sikur atij t’i shtoheshin edhe 45,731 votat e mëtonjësit tjetër shqiptar, Muhamed Halilit, ai nuk do të barabitej as me 219,098 votat e mëtonjësit të asokohshëm presidencial nga VMRO-DPMNE Boris Trajkovski.

• E njëjta u përsëdytë edhe në zgjedhjet pasuese presidenciale: kështu më 2004, Gëzim Ostreni me 134,208 vota dhe Zidi Xhelili me 78,714, marrë së bashku, mbetën larg në kthesë pas mëtonjësit të dytë më të votuar maqedonas (Sashko Kedevit), që në rrethin e parë të votimeve pati marrë 309,132 mijë vota.

Më fjalë të tjera, kandidatura e secilit mëtonjës presidencial shqiptar ka përfunduar si një rropatje e dështuar në një lojë të pamundur numrash. Prandaj, oferta e përbashkët e BDI-së dhe LSDM-së me kandidaturën e Stevo Pendarovskit duhet të lexohet si një taktizim i zgjuar që vota shqiptare të sendëzohet me diçka të vlefshme në prapakthim. Sigurisht që një pragmatizëm i tillë do të përballet me një stihi fshikullimesh nga partitë e publiku nevrastenik. I tillë, fjala vjen, është edhe një shkrim i paradoditshëm i zotit Arben Taravari me titulll «Koncepti Shoqëri vs Republikë». Në zemër të kriticizmit të tij qëndron pandehma se BDI po i jep mbështetje një kandidati që aspiron afirmimin e një etnie të vetme dhe bën shpërnjohjen e realitetit shumëetnik brenda Maqedonisë. Sipas tij «kjo parti “finoke” kërkon që shqiptarët t’i asimiloj, shkrij, asgjësoj ose sllavizoj, ashtu dhe turqit, bullgarët, romët, vllehët, torbeshët, egjiptianët e çdo etni që jeton në Maqedoni (sic!)».

Në të vërtetë është një vijë e hollë mes kritikut racional dhe kritizerit dhe pikërisht mbi shpatullat e z.Taravari bie «barra e argumentit» (burden of proof) se mbi ç’bazë po i tund kambanat e alarmit për «asimilim» e «shkrirje».

Është e vetëkuptueshme se ligjërimi elektoral i Pendarovskit, ose kujtdo tjetër, do të jetë gjuhë mbimesatarisht i baralaraguar nga animet e idealisht edhe i mbushur me referime të dendura mbi një egalitarizëm civik, cilido qoftë formulimi për konsum të brendshëm a të jashtëm. Ekskluzivizmi etnik mbi shtetin, ashtu sikundër formulohej në Kushtetutën e vitit 1991, nuk është këndejpari tash e afro dy dekada, prandaj paniku që nxitet në momente të caktuara është aq i pathemeltë.

Taravari ndalet edhe në nuanca të tjera të performancës fillestare të Pendarovskit drejtuar publikut. Sipas tij, Pendarovski «këtë apel e bën në gjuhën maqedonase, nën flamurin maqedonas, duke harruar ditën për diell realitetin që e mban në këmbë këtë shtet».

Megjithatë, gjërat janë përtej një aparence mbi të cilën fiksohet me aq ngulm Taravari. Derisa Pendarovski është plotësisht brenda të drejtës së tij për të përzgjedhur mënyrën sesi i adresohet zgjedhësve potencialë (njësoj siç është edhe z.Blerim Reka në të drejtën e tij për t’iu apeluar zgjedhësit e tij qoftë me flamurin kuqezi, qoftë me atë të larmisë shumëetnike), duhet thënë se sforcimi i tij është poaq edhe lufta për tërheqjen e votës sllavomaqedonase.

Në një garë ngushtësisht rivalizuese me shemrën e tij nga radhët e VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova, Pendarovski natyrshëm se nuk mund të mos jetë i esëllt për metanarrativat e VMRO-DPMNE që mund të gjejnë jeh ende te një porcion tejet i numërt i shoqërisë sllavomaqedone. Duke luajtur me kartat e viktimizimit kolektiv, duke nëpërdhëmbur zyrtarizimin e shqipes, ndryshimin e emrit, etj, «vëmëroistët» gjakojnë të mobilizojnë segmente të tëra të shoqërisë sllavomaqedone për të bërë «last stand»-in e fundit për një institucion presidencial, mundësisht si ai i Ivanovit, që të jetë dorëzan i «kombit».

Tutje, Taravari shkruan se «tash na mungon një ligj ku të na hiqet dhe e drejta e votës dhe të bëhemi njësoj si skllevërit e kohës antike, që mund t’i shisje, blije apo vrisje kur të doje dhe në de facto jemi, por si duket BDI-ja kërkon që skllavërimi i shqiptarëve të bëhet zyrtar».

Me një përdorim gati shpërdorues të atij që në fallasitë logjike njihet si «strat man argument» (ideja që të shpërfytyrohet argumenti i kundërshtarit me qëllim të përgënjeshtrimit më të lehtë të tij), z.Taravari pikturon një gjendje «doom and gloom» (zi e terr) të gjithçkaje, paçka se bëhet fjalë për një palë zgjedhje të rëndomta presidenciale.

Përkrahja që BDI i jep kandidatit Stevo Pendarovski është, parasëgjithash, një bonsens për të kapitalizuar momentumin e dhënë historik, që shqiptarët të lidhin një «kontratë» mirëbesimi me një mëtonjës presidencial që do të përnjohë edhe problematikën shqiptare.

Rrjedhimisht, kategorizime kuazimoraliste për «tradhti» janë asgjëmangut lëndë e parë për cinikët e kazaneve të rrjeteve sociale, por jo edhe kritika të arsyes së shëndoshë.

Kandidatura e z.Blerim Reka mund të jetë ajo e një emri impozant e me integritet, porse përtej kësaj, duke njohur natyrën e trendeve në zgjedhjet e shkuara presidenciale, ajo zor, madje edhe në skenarin më shpresëdhënës, që do të maksimizojë votën shqiptare në gjithsejtin e saj.

E thënë më butë, kandidatura e z.Reka përfaqëson më tepër një nevojë kompulsive të Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa për protagonizëm për hir të protagonizmit sesa një përpjekje megjithë mend për të pasur një president shqiptar.

Projektimi i fuqisë së aksh partie përmes një kandidature presidenciale është i gënjeshtërt, sikundër që provohet nga diskprepanca e këtyre partive në zgjedhjet e përgjithshme apo ato lokale. Njënjëshëm mund të thuhet se edhe përkrahja që BDI i jep Pendarovskit nuk mund të merret si dorëzani e sigurt që edhe elektorati i saj do t’i përgjigjet pozitivisht. Megjithatë, kandidatura e përbashkët është një mundësi që një mëtonjës presidencial për të parën herë të ketë staturën e një presidenti konsensual e që rrezaton besueshmëri më të madhe.

Kushtrim Alla
Kryetar i Forumit Rinor të Bashkimit Demokratik për Integrim – Dega Çair

Marketing