Ja kur pritet të hapet vendkalimi i ri kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Pika e re kufitare që është iniciuar tash e sa vite mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të hapet së shpejti. Kështu kanë bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme.

Marketing

Në një prononcim për Gazetën Express, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur se vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiç pritet të hapet për qarkullim në muajin gusht të këtij viti.

Punët në këtë vendkalim kufitar janë ndërprerë shumë herë dhe kanë ngecur prej kur është iniciuar ndërtimi i këtij pikë kalimi në vitin 2011.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme shtyrjet e vazhdueshme të hapjes së vendkalimit Bellanoc-Stançiç kanë ndodhur për arsye se Republika e Maqedonisë së Veriut për herë të parë hap pikë të përbashkët kufitare.

“Është hera e parë që në Republikën e Maqedonisë së Veriut hapet pikë e përbashkët kufitare dhe në këtë drejtim pala maqedonase ka pasur mungesë legjislacioni për realizimin e projektit, andaj ka marr shumë kohë infrastruktura ligjore për realizimin e projektit duke shkaktuar vonesa në implementim”

Projekti ndërkufitar Maqedoni e Veriut-Kosovë realizohet me financimin e Bashkimit Evropian, ndërsa është pjesë e projekteve për bashkëpunim ndërkufitar.
Në qershor të vitit 2018 zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ai i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani dhe ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar vunë gurthemelin e objektit kufitar.

Zyrtarët e dy shteteve siguruan se në janar të vitit 2019 pika kufitare do të hapej, por kjo nuk ndodhi.
Banorët e vendbanimeve kufitare të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut vazhdimisht janë ankuar për neglizhencën e autoriteteve shtetërore për mos hapjen e pikës kufitare që lidhë dy shtetet.

Sipas banorëve mos funksionalizimi i këtij vendkalimi kufitar ka bërë që të udhëtojnë qindra kilometra për të shfrytëzuar pikën kufitare të Bllacës për tu lidhur me qytetet kufitare të Gjilanit respektivisht Kumanovës.

Hapja e kësaj pikë kufitare ka rëndësi strategjike për shkak të pozitë gjeografike e cila lidh 3 shtete Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në atë që njihet si “Trekëndëshi i Kufirit” në aspektin e ekonomisë dhe tregut, qarkullimit të njerëzve etj

Marketing