Ja plani që po përgatit PS për shkarkimin e presidentit Meta (VIDEO)

Kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ftuar në studion e emisionit ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ u shpreh se vendimi i Presidentit Ilir Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve dhe shtyrjen pa afat është vetëm një dëshirë e tij dhe vetëm kaq, pasi nuk ka fuqi ligjore.

Marketing

Balla tha se të enjten në Kuvend do të miratohet një rezolutë që u lë detyrë institucioneve për të vijuar Kushtetutshmërinë, pra përgatitjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe jo zbatimin e dekretit të kreut të shtetit. “Ai është akti i pavlefshëm, cdo institucion është i detyruar që të mos e zbatojë” tha Balla.

Pas miratimi të rezolutës ditën e enjte, socialisti shpjegoi se më pas do të vijohet me kërkesën për shkarkimin e Presidentit nga detyra duke shpjeguar edhe procedurën. Megjithatë, shtoi ai, Meta do të vijojë të qëndrojë në zyrë deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese që pritet që të bëhet funksionale në shtator. Gjatë emisionit, Taulant Balla lëshoi sërish akuza të forta për Lulzim Bashës lidhur me lobimin në SHBA për zgjedhjet e 2017 ku tha se ‘kjo dosje do të jetë fundi i tij’.

Kryesia e Partisë Socialiste vendosi të ndërmarrë nismën për të shkarkuar Presidentin e Republikës Ilir Meta. Firmat e para u mblodhën sot, por largimi i Metës, do të varet nga Gjykata Kushtetuese, e cila kur të ngrihet, do të duhet të konfirmojë vendimin shkarkues prej Kuvendit.

E ndërsa ka nisur procedurën për shkarkimin e Presidentit, të enjten PS-ja pritet që të miratojë një rezolutë pas vendimit të kreut te shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Por për cfarë do të shërbejë kjo rezolutë? Taulant Balla i ftuar në Report Tv shpjegoi se ‘Rezoluta që pritet që të miratohet u drejtohet institucioneve, janë detyra që u lihen institucioneve, detyra për të vijuar Kushtetutshmërinë’ tha ai, pra që të vijohet me përgatitjet për 30 Qershorin.

Por cfarë parashikon rregullorja për shkarkimin e Presidentit dhe kur pritet qe te ngrihet gjykata Kushtetuese? “Menjëherë pas kësaj grupi i PS-së do të fillojë procedurat për t’i kërkuar Kuvendit shkarkimin. Hartohet kërkesa, i dërgohet Kuvendit, njoftohet Presidenti dhe më pas fillon një procedurë, Komisioni i Ligjeve vlerëson kërkesën, ngrihet komisioni hetimor.

Presidenti është në detyrë deri kur vendimi për shkarkimin e tij të certifikohet nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata në fund të korrikut do të jetë me anëtarë të rinj. Funksionaliteti mund të jetë në fillim të shtatorit” tha Balla.

Marketing