Ja pra kur mbahet takimi midis Zaevit dhe Mickoskit

Kryeministri dhe lider i LSDM-së, Zoran Zaev sot informoi se nesër në ora 20:00 në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të realizojë takim me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Marketing

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale, ligjet reformuese dhe gjithçka që është në dobi të shtetit, siç tha Zaev, do të jenë temat e takimit të nesërm.

Në pyetje të gazetarëve për deklaratën e Mickoskit se do të kërkojë lustracion të të gjithë politikanëve, Zaev u përgjigj se do të presë nesër të shikojë se cilat janë kërkesat.

“Do t’i kumtoj edhe propozimet tona dhe të gjithë së bashku si politikanë dhe parti të përgjegjshme politike do të bisedojmë. Për detajet është shumë herët dhe nuk do të doja të komentoj”, deklaroi Zaev.

I pyetur pse në takim nuk marrin pjesë edhe liderët e partive kryesore shqiptare, Zaev potencoi se për këtë takim nuk ka nevojë për një format të më shumë partive politike.

Për mua është me rëndësi, nënvizoi, të bisedojmë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, për procesin eurointegrues të vendit tonë për shkak se madje edhe NATO-ja ende nuk ka përfunduar.

“Të bëjmë gjithçka që mundemi që në qershor ta marrim datën përfundimtare për hapjen e negociatave me BE-në. Këto janë punë të rëndësishme”, deklaroi Zaev, duke shtuar se do të bisedojë si kryeministër dhe kryetar i partisë më të madhe politike me shefin e opozitës në ato tema, sepse beson në përgjegjësinë e përbashkët para vendimeve historike që vendi ynë duhet t’i sjell.

Në pyetje të gazetarëve nëse kandidati për president të shtetit, Stevo Pendarovski është i sigurt duke e pasur parasysh atë që ka deklaruar ai se po e ndjekin disa shërbime, Zaev potencoi se Pendarovski është i sigurt. Është konfirmuar, theksoi, se bëhet fjalë për fotografim për dëshmi se çfarë veture ka dhe drejton. Besoj se të gjithë qytetarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të ndjehen të sigurt, theksoi kryeministri.

“Me siguri ka ende njerëz të cilët në kokën e tyre bëjnë mundësi për gjoja konstruksione, për plane sekrete, punojnë me shoqata kuazi-patriotike dhe të ngjashme. Me siguri nevojën e kishin për të aluduar këtu, unë e di pasi që këto janë situata absolutisht të perceptueshme që ndodhin në vendin tonë. Definitivisht vendi ynë është i sigurt dhe stabil”, deklaroi Zaev.

I pyetur nëse do t’i kërkojë falje opozitës e cila u theksua si shërbim sekret, Zaev mes tjerash theksoi se nuk ka ndërmend të kërkojë falje. Pendarovski informoi se dje në orët e pasdites në SPB Shkup ka parashtruar kallëzim në procesverbal dhe pret që shërbimet kompetente në periudhën në vijim ta përpunojnë atë që duhet.

“Nëse më pyetni më tutje çka di unë më shumë për këtë – nuk di”, deklaroi Pendarovski dhe i udhëzoi gazetarët në deklaratën e dhënë nga ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në seancën për pyetje të deputetëve nga fundi i muajit janar i cili flet për ndjekjen e personave publikë.

“Ndoshta këtu është përgjigjja. Megjithatë, unë këtë nuk e di”, tha Pendarovski, duke potencuar se përshtypja e tij është se është i ndjekur, por, siç tha, dëshiron që organi zyrtar t’i thotë nëse është kjo e saktë dhe kuptohet nëse është vetëm ai lëndë e përndjekjes.

Ai shfaqi shpresë se shërbimet kompetente e kryejnë punën dhe se të gjithë qytetarët, jo vetëm personat publikë kanë mbrojtje të mjaftueshme, jo vetëm në periudhën parazgjedhore, por edhe pas.

Marketing