Ja sa ka kushtuar fushata mediale zgjedhore

Me rregulloren për përcaktimin e kompensimit të anëtarëve të organeve zgjedhore dhe administratës zgjedhore për zbatimin e zgjedhjeve presidenciale 2019 dhe zgjedhjeve të parakohshme lokale për komunat Ohër, Novosellë dhe Dibër, që u miratua në seancën e sotme të KSHZ-së, për herë të parë po bëhet gradim të kompensimit varësisht prej disa kategorive.

Marketing

“Për herë të parë kjo Rregullore, krahas gradimit të komisioneve zgjedhore komunale sipas numrit të këshillave zgjedhorë, është kryer edhe gradim i kompensimit të këshillave zgjedhorë, pasi të gjithë nuk janë të njëjtë në punën e tyre”, tha kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski.

Ai shtoi se në vendet zgjedhore ku ka pasur numër më të vogël të votuesve, personat e angazhuar në procesin zgjedhor nuk kanë punë dhe obligim të njëjtë gjatë ditës, si ata që kanë 1.000 votues të regjistruar në listën zgjedhore.

Në vendvotimet ku ka më së paku, respektivisht deri 100 votues të regjistruar në listën zgjedhore, sipas gradimit, kryetarit të KZ, i përcaktohet kompensim prej 5.200 denarë për dy rrethet zgjedhore, zëvendësit të tij 4.200 denarë, anëtarit të KZ – 3.200 denarë, ndërsa zëvendës anëtarit njësoj 3.200 denarë, ndërkaq te këshillat zgjedhorë ku ka mbi 801 votues, kryetarit të KZ i prëcaktohet kompensim me vlerë 6.000 denarë për dy rrethet, zëvendësit të tij 5.000 denarë, anëtarit të KZ dhe zëvendësve të tyre nga 4.000 denarë.

Në ato vendvotime, ku votimi u anulua, vlera për anëtarët e këshillave zgjedhorë zvogëlohet për 30 për qind.

KSHZ propozon që të përcaktohet kompensimi për administratën zgjedhore dhe personat e angazhuar në trupat ndihmëse në bazë të tre kritereve: angazhimet kohore, kompetencat punuese dhe suksesi në punë.

Në seancë u theksua se anëtarët e KSHZ-së kanë marrë vendim që të mos marrin shpërblim, respektivisht kompensim për angazhimet zgjedhore, përveç rrogës së tyre.

Derkoski informoi se fushata mediale për zgjedhjet presidenciale dhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ka kushtuar rreth 3.760.000 euro.

“Sipas kandidatëve për dy pjesët e fushatës deri te KSHZ-ja janë parashtruar raporte nga mediat dhe atë për kandidatin Gordana Siljanovska 88 milionë denarë, për Stevo Pendarovskin 80.960.000 denarë dhe Blerim Rekën 50 milionë e 500 mijë denarë, ose gjithsej 291 milionë denarë”, tha Derkoski.

Ai shtoi se për zgjedhjet lokale janë parashtruar raporte me vlerë të përgjithshme prej 12.180.000 denarë.

Derkoski tha se shfrytëzues më të mëdhenj të këtyre mjeteve janë TV Sitel me 10,5 milionë denarë, Alsat TV me nëntë milionë denarë, po aq edhe Telma TV, Kanal 5 me tetë milionë denarë, 24 Vesti 3.900.000 denarë…

KSHZ deri tani e ka realizuar transhën e parë të parashtruar nga buxheti i shtetit me vlerë prej 100 milionë denarë, ndërsa në vijim është edhe përpunimi dhe pagesa e mjeteve për pjesën e dytë të fushatës.

Prej buxhetit shtetëror për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve presidenciale dhe të jashtëzakonshme lokale janë marrë mbi 7,7 milionë euro, prej të cilave 3,7 milionë për fushatë mediale.