Ja sa milionë euro deri tani i ka dërguar diaspora në Kosovë

Informacionet e fundit nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë se remitencat apo të ardhurat nga bashkatdhetarët tanë nuk kanë rënë, përkundrazi ato kanë qenë më të larta këtë shtatëmujor krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Marketing

Sipas statistikave, nga janari deri me 31 korrik të vitit 2020 vlera e remitencave të dërguara në Kosovë ka arritur nivelin prej 526.1 milionë eurosh, përcjell albinfo.ch.

Kështu ka thënë zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, i cili tutje ka shtuar se kjo vlerë është më e lartë për 46.8 milionë (ose 9.8 për qind) për këtë shtatëmujor, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Deri më 31 korrik të vitit 2020, vlera e remitencave ka arritur nivelin prej 526.1 milionë euro. Kjo vlerë është për 46.8 milionë (ose 9.8 për qind) më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Nga kjo shumë, gjithsej 373.6 milionë euro janë dërguar përmes operatorëve që transferojnë. Kjo vlerë është për 56 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka thënë Ahmeti.

Duhet theksuar se remitencat kanë qenë të larta në këto shtatë muaj krahasuar me periudhën e njëjtë, edhe përmes bankave, përcjell tutje albinfo.ch.

“Pastaj, vlera e remitencave që janë dërguar përmes bankave për të njëjtën periudhë kohore ka arritur në nivelin prej 75 milionë eurosh, që është një rritje prej 13.8 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, shprehet Ahmeti. /Albinfo.ch