Ja sa para kanë shpenzuar maqedonasit vitin e kaluar në Greqi

Më shumë se një milion turistë nga Maqedonia e Veriut vitin e kaluar kanë kaluar pushimet në Greqi, me çka kanë shpenzuar 155 milionë euro, tregojnë të dhënat e statistikave në raportin vjetor të Bankës së Greqisë, shkruan gazeta KOHA.

Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar pothuajse një milion e dyqind mijë maqedonas e kanë vizituar Greqinë që është për 25 për qind më pak se viti i mëparshëm 2017. Para katër viteve, Greqinë e kanë vizituar mbi tre milionë turistë nga Maqedonia e Veriut. Statistika greke tregon trend të uljes së turistëve nga Maqedonia, por rritje të numrit të turistëve të tjerë.

Vetëm për 4 vite numri i turistëve nga vendi ynë në Greqi është ulur për dy milion e gjysmë herë. Përfitimi turistik për Greqinë nga turistët e Maqedonisë së Veriut, për vitin 2018 arrin 155,3 milionë euro, 13.6 për qind më pak krahasuar me vitin 2017, përderisa në vitin 2015, kur edhe ka qenë i regjistruar numri më i lartë i turistëve nga vendi ynë qe e kanë vizituar Greqinë, të ardhurat për fqinjin jugor kanë arritur deri në 247 milionë euro.

Numri më i madh i turistëve në Greqi vijnë nga Gjermania. Vetëm në vitin e kaluar kanë arritur 4.381.400, me çka, vitin e kaluar, Greqia nga ata ka pasur edhe përfitimin më të madh 296,1 milionë euro.