Ja si mësimdhënësit vlerësojnë rritjen e pagës

Jo të gjithë mësimdhënësit pajtohen me rritjen e pagës prej pesë për qind. Njëri nga profesorët e pyetur nga Tv21 thotë se rritja e pagës së mësimdhënësve duhet të ndodhë në mënyrë të menjëhershme. Por për dy profesorët tjerë, rritja e pagës për pesë për qind është e mirëseardhur por jo e mjaftueshme.
Profesori i Shkollës së mesme ekonomike në Shkup, Enver Ajdini thotë rritja e pagës prej pesë për qind nuk mjafton nëse llogarit shpenzimet e përditshme.

Marketing

“Ne si mësimdhënës mendojmë se rritjet e tilla nga pesë përqind, më shumë po e dëmton dhe streson mësimdhënësin. Pse ajo rritja e rogave mos të jetë e përnjëhershme. Neve kuptojmë atë gjendjen financiare ose në shtet, mirëpo e dimë se edhe mësimdhënësit janë më pak të vlerësuar dhe më pak të paguar në një sistem të ndërlikuar arsimor”, veçoi Enver Ajdini.

Sipas profesorit universitar, Ali Pajaziti, rritja e pagave për profesorët, paraqet një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm drejt avancimit të vlerave të arsimit. Edhe pse siç thotë, MASH është pak vonë më këtë masë.

“Mësimdhënësit janë edukatorët e kombit. Andaj, subveniconimi dhe investimi në të mirat materiale gjegjësisht në rrogat e tyre është një zgjedhje shumë e qëlluar sepse ata do të jenë më të satisfaksionuar për të investuar tek fëmijët tanë të cilët janë ardhmëria e kombit.

Pra do të japin shumë më tepër, në punë do të jenë më të motivuar për të dhënë maksimumin e tyre. Dhe në këtë drejtim mendoj se paksa jemi vonuar, krahasuar me vendet përreth që i kemi, të cilët e kanë detektuar këtë problem”, pohoi profesori Ali Pajaziti.

Profesori në shkollën e mesme “Zef Lush Marku”, Naser Miftari thotë se arsimi kërkon konkurrencë nëse duam të ngrejmë cilësinë e procesit mësimor.

“Ç’do paralajmërim i rritjes së pagës është i mirëseardhur për çdo të punësuar sidomos ata të arsimit. Mirëpo sa i përket mënyrës dhe kohës personalisht flas nuk jam i kënaqur, sepse bëhet fjalë për arsim. Arsimi kërkon konkurrencë të mirëfilltë po deshëm të ngremë cilësinë e procesit mësimor. Arsimimi i çdo populli nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër, pos asaj që në cilin vend ai jeton dhe në të cilat rrethana ai jeton”, deklaroi Naser Miftari.

Ndryshe, ditë më parë Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, u premtoi mësimdhënësve se nga shtatori i ardhshëm do të kenë rritje rroge për pesë për qind.

Marketing