Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, së bashku me Ambasadoren Alma Lama, deputetet Mexhide Mjaku-Topalli, Saranda Bugujevci dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, në seancën dëgjimore në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë kanë shpalosur kërkesën për ndëshkim të krimeve të luftës të ushtruara nga pala serbe në Kosovë, specifikisht, përdorimin e dhunës seksuale si mjet lufte dhe vënien e drejtësisë në vend.

Jahjaga në një postim në llogarinë e saj në Facebook ka thënë se mënyra e vetme për t’i ndihmuar këto gra dhe burra që te vazhdojnë jetën pas tmerreve të luftës është drejtësia.
Ajo ka thënë se nevojitet ndihma e komunitetit ndërkombëtar për të siguruar një paqe afatgjatë.

“Sot, në seancën dëgjimore në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë, të udhëhequr nga Kryetarja Marta Grande, unë së bashku me Ambasadoren Alma Lama, deputetet Znj. Mexhide Mjaku-Topalli, Znj. Saranda Bugujevci dhe Znj. Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, shpalosëm kërkesën tonë për ndëshkim të krimeve të luftës të ushtruara nga pala serbe në Kosovë, specifikisht, përdorimin e dhunës seksuale si mjet lufte dhe vënien e drejtësisë në vend”, ka shkruar Jahjaga.

Më tej Jahjaga ka thënë se “Serbia para 20 vjetesh synoi të na zhvesh nga dinjiteti njerëzor duke kryer një fushatë të egër të dhunimeve seksuale me qëllim të spastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova”.

“Pasojat e luftës kanë bërë kthimin në normalitet shumë te vështire. Lufta nuk ka ndikuar vetëm në lidhjet ndër-etnike. Ajo ka përçarë komunitete gjithashtu. Përdorimi i përdhunimit si mjet lufte ka pasur për qëllim që të beje luftën të zgjasë përgjithmonë”.

“Unë kam takuar qindra gra dhe burra të mbijetuar nga dhuna seksuale. Përjetimi i tyre i dhimbshëm është ende i gjallë, prej të cilit ato ende vuajnë nga lëndimet trupore dhe simptomat e rënda të çrregullimit të stresit post-traumatik”.

“Mënyra e vetme për t’i ndihmuar këto gra dhe burra që te vazhdojnë jetën pas tmerreve të luftës është drejtësia.
Na duhet ndihma e komunitetit ndërkombëtar për të siguruar një paqe afatgjatë”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.