Janevska: Apeli të konfirmojë dënimin me burg ndaj Gruevskit

Prokurorja speciale publike Katica Janeva Janeva, përveç për referendumin në intervistë për Alsat flet edhe për dy raportet e Speciales, njëri për punën e tyre, ndërsa tjetri i dedikuar për gjykatësit dhe veprimin e tyre të pandërgjegjshëm dhe pamoralshëm. Ajo pret që Gjykata e Apelit ta konfirmojë dënimin me burg për ish-kryeministrin Gruevski.

Pyetja ime e parë do të jetë për dy raportet që i publikuat të premten. Ka të bëjë me punën tuaj, por ka edhe raport të veçantë për punën e gjykatësve, janë përfshirë katër emra. Kryetari aktual, Jovo Vangellovski, si dhe gjykatëset Svetllana Kostova, Sofija Laliçiq, si dhe ish-kryetarja e Këshillit gjyqësor Aleksandra Zafirovska. Dëshmitë për ndërhyrje politike që i theksuat në raport, i siguruat vetëm nga bisedat e përgjuara, apo keni edhe dëshmi të tjera që e tregojnë atë?

Jo, nuk kemi dëshmi të tjera, ato janë nga bisedat e përgjuara. Të sqaroj se gjykatëset Sofija Laliçiq dhe Svetllana Kostova, kanë qenë cak në bisedat e përgjuara të paligjshme, ndërsa Jovo Vangellovski nuk është cak, por bashkëbisedues me persona të caktuar, që kanë qenë cak në përgjim. E njëjta ka të bëjë edhe për Aleksandra Zafirovën.
Pse nuk ngritët akuza kundër gjykatësve të përmendur derisa kishit mundësi për atë?

Ne nuk ngritëm akuza, për shkak se në momentin e marrjes përsipër të bisedave, dhe në atë moment, nëse edhe në momentin e parë i kemi analizuar disa, ka kaluar një afat i caktuar për të cilën ka mundur të ngritet procedurë e caktuar. Tani vlerësoj se në vetë bisedat, ka më shumë cenim të integritetit moral të gjykatësve, ndërsa përgjegjësi penale-juridike nuk ka në atë pjesë, dhe nuk mblodhëm dëshmi të veçanta, pasi vlerësuam se afatet për atë kishin kaluar. Në esencë PSP-ja, si propozues i disa procedurave në lidhje me gjykatësit, nuk kemi të drejtë ta bëjmë atë.

A ka emra edhe të gjykatësve të tjerë, që ndoshta janë pjesë e bisedave që i posedoni, apo i morët, por që nuk i keni publikuar?

Ka biseda të ndryshme për gjykatës të tjerë, apo edhe prokurorë. Por, ato nuk kanë të bëjnë me lëndë, apo bisedojnë dy bashkëbisedues në lidhje me atë ti lajmërohen një gjykatësi apo prokurori të caktuar që nuk ndodhë, ne nuk e dimë nëse ka ndodhur, dhe nuk e dimë pse ka ndodhur. Ashtu që këto katër persona në vetë bisedat, dihet se janë ata, dihet se janë ata. Do të thotë, dihet për nga zëri i tyre, se si prezantohen dhe se bëhet fjalë për këta katër persona.

Sa për digresion, përmendët prokurorë dhe gjykatës. A mund të kenë qenë ata cak i përgjimeve?

Jo. Nuk janë cak i përgjimeve. Ju thash, përveç gjykatëseve Sofija Laliqiç dhe Svetlana Kostova, të tjerët nuk i kemi vërejtur në…ekzistojnë një numër i caktuar i bisedave, nuk janë shumë, ku numrat e telefonit janë të panjohur edhe për ne, se për cilët persona flasin, nuk mundemi të zbulojmë, nuk prezantohen dhe në një kohë të ardhshme nëse ka komplikime të veprës penale, por nuk besoj.

Në raport kërkoni që gjykatësit që dyshoni se ndoshta kanë vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme të mbajnë përgjegjësi. A do të thotë kjo shkarkim i katër gjykatësve që i përmendët në raport?

Më shumë bëhet fjalë për integritetin e tyre moral dhe siç thash, i sugjerohet Kuvendit t’i ketë parasysh këto biseda, këto ngjarje që kanë ndodhur më herët, në pushtetin paraprak, të zbatohen vendime të reja ligjore nëse ndryshon Ligji i gjykatësit apo Këshillit gjyqësor.

Ashtu, pasi që të katërtit janë ende nëpër pozitat e tyre.
Po. Absolutisht. Mendoj se duhet të mbajnë përgjegjësi morale, por këtë ua lëmë atyre.

Në pjesën e punës së mbaruar që e përmendët në raport prej 15 marsit deri më 15 shtator, keni thënë se pritni që gjyqi t’ua caktojë më shpesh seancat. A jeni ballafaquar me pengesa të caktuara lidhur me raportin?

Në esencë, siç e kemi përmendur në Raport se një e treta apo 52 seanca gjithsej në të gjitha lëndët janë anuluar. Shpresojmë që kjo nuk do të ndodhë në periudhën e ardhshme, se gjykata do të siguroj kushte për t’i mbajtur të gjitha gjykimet.

Ne kuptojmë se gjykata ka shumë lëndë të caktuar, por për shkak të kohëzgjatjes prej momentit kur janë vërtetuar aktakuzat tona deri më tani disa lëndë edhe janë në fazë fillestare dhe konsideroj se duhet të intensifikohen.
A ka ndryshuar raporti i Gjykatës Penale ndaj PSP-së?
Nuk ka ndryshuar raporti, por ka ndryshuar mënyra e sjelljes ndaj lëndëve tona, në kuptim të asaj se kur u vërtetuan aktakuzat që i dorëzuam, gjykatësit tash sillen, më me besim ndaj Prokurorisë Speciale.

A mund unë personalisht të përfundoj se ndryshimi i pushtetit do të thotë ndryshimi i fanellave të gjykatësve?
Nuk do të thosha ashtu sepse ndoshta u përputhën të dy punët, sepse vitin e kaluar në shtator-tetor kur u vërtetuan akuzat tona atëherë ndodhi ndryshimi më i madh i pushtetit. Ndoshta prandaj edhe ashtu duhet, por unë mendoj se ajo është sepse u vërtetuan lëndët tona.

Theksuat se janë dëgjuar thuajse 90% të bisedave që i morët në PSP. Përveç dyshimeve për krim të caktuar tek VMRO-DPMNE-ja që e udhëhiqte pushtetin paraprak, a hetohet tani momentalisht ndonjë krim i mundshëm tek BDI-ja apo tek ndonjë funksionarë i LSDM-së i cili në atë kohë ka qenë në ndonjë pozitë në pushtetin lokal?

Hetohen edhe ato momente, nuk e di se sa do të kenë dëshmi të mbledhura në këtë drejtim dhe mendoj se funksionarë të caktuar të BDI-së tani janë në fazë të avancuar parahetimore, ndërsa për socialdemokratët ka të bëjë me periudhën para vitit 2006, ka diçka, por në periudhën e ardhshme ndoshta edhe do t’i publikojmë.

Pra tani nuk mund të themi emra të caktuar?
Nuk e di nëse në përgjithësi do të mundet. Ajo është konkretisht kur të kryhet ndonjë procedurë parahetimore dhe kur do të kalojë në hetim.

Pra nuk bëhet fjalë për funksionarë që ndoshta kanë qenë nga viti 2006 deri në vitin 2016 në pozitën e kryetarit të komunës. Në kohën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së?

Me sa di unë në atë periudhë nuk kishte funksionarë të veçantë përveç se në tre komuna, edhe atë dy komuna të vogla dhe komuna e Strumicës ku ishte kryeministri i tanishëm i Maqedonisë, për të janë zhvilluar procedura, ai vetë tregon se zhvillohen procedura… ne nuk kemi indikacione në bisedat sa u përket atyre procedurave që t’i ndërmarrim.

Kërkoni që PSP-ja të inkorporohet më Prokurorinë e rregullt por gjithsesi me status që do të jetë autonom dhe të mund të veproni vetë. A keni paralajmërime se do të zgjidhet ky problem që të mund t’i rrumbullakosni të gjithë hetimet me aktakuza?

Shpresoj se më e rëndësishme se kjo është që Neni 22 i Ligjit të Speciales të shfuqizohet ose në këtë pjesë, të mund të veprojmë sikurse Prokuroria e rregullt në përputhje me Kodin penal të Republikës së Maqedonisë dhe të parashtrojmë aktakuza, ose të hapim hetime në përputhje me Kodin penal.

Kjo është për ne më e rëndësishme në këtë moment. Mendoj se çështja e referendumit tani është më e rëndësishme në Republikën e Maqedonisë dhe se më pas do të vijojnë reforma të shpejta dhe efikase gjyqësore. Shpresoj që kjo të ndodhë në një afat më të shpejtë të mundshëm. Këtu jemi në dispozicion që të marrin pjesë në to, me sugjerimet dhe mendimet tona, përvojat tona dhe me këtë pjesë gjithashtu të mbyllen kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë, veçanërisht 24, me reforma gjyqësore, në raport me hyrjen në Bashkimin Evropian.

A mund të presim hetime të caktuara, p.sh. që janë të finishuara, të mbyllura në Prokurorinë Speciale Publike, t’i dorëzoni në atë Publike, meqë gjithsesi nuk mund t’i parashtroni aktakuzat përfundimtare. A mundet në periudhën e ardhshme të shohim edhe një pasqyrë të tillë që një hetim i caktuar që është rrumbullakuar t’u dorëzohet kolegëve, a keni besim që t’ua dorëzoni që ta mbarojnë?

Kjo duhet të ndodh në mënyrë të pashmangshme, sidoqoftë për një hetim të caktuar, të dorëzohet në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë, por megjithatë mendoj se është kolegiale edhe nga ana jonë të mos e ngarkojmë as Prokurorinë Republikane Publike shumë, e cila ka me të vërtetë shumë punë edhe për vepra të tjera penale, që t’i përfaqësojë edhe lëndët tona. Shpresoj se mandati rreth parashtrimit të aktakuzave do të zgjidhet sa është e mundshme më shpejtë dhe Prokuroria Speciale Publike do të mund t’i përfaqësojë lëndët. Nëse nuk vjen deri te kjo, me siguri se do të duhet t’i japim lëndët që nuk do të na jetë mirë dhe sidoqoftë do t’u ndihmojmë kolegëve tanë nëse krijohen mundësi që sa më shpejtë t’i përvetësojnë lëndët tona.

A ndryshoi raporti pas ndërrimit të prokurorit shtetëror publik, tani me ardhjen e z. Joveski, a u përmirësuan pak marrëdhëniet?

Ne, në nivel të kolegëve, gjithmonë kemi bashkëpunuar me kolegët tjerë të Prokurorisë Publike. Mosmarrëveshja me prokurorin publik ishte se ai na sulmonte publikisht shumë për punën tonë, po flas për prokurorin paraprak, ai e bartë përgjegjësinë për atë, ndryshe neve nuk na u prishën as sot, as më parë marrëdhëniet me kolegët tjerë nga Prokuroria Publike.

Ishte aktuale tema për vjetërsinë e veprës me Tankun dhe aktvendimi që e mori ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Nikolla Gruevski tani është në gjykatën e apelit ku duhet të vendoset dhe ka paralajmërime se kjo mund të ndodhë këtë të diel. Çfarë prisni nga gjykata e apelit, çfarë parashikoni, a do konfirmohet dënimi apo do zvogëlohet. Cili është qëndrimi juaj rreth kësaj?

Dëshira jonë është të konfirmohet pasi vetë dënimi për z. Nikolla Gruevskin me dëshmitë dhe incizimet ne dëshmuam se ai e ka kryer veprën penalë për të cilën ngarkohet. Sipas dëshmive që patëm mundësi t’i grumbullojmë, vlerësoj se është fajtor për veprën penale që e ka kryer. Shpresoj se e kanë parasysh se bëhet kujdes sipas detyrës zyrtare lidhur me vjetërimin nga ana e gjykatave për lëndë të caktuara.

Shpresoj se i akuzuari Nikolla Gruevski do marrë dënim me burg. Ndërsa nëse do konfirmohet dënimi të cilin e shqiptoi gjykata e shkallës së parë apo ndoshta gjykata e Apelit do vendosë se duhet të shqiptohet dënim tjetër, këtë nuk mund ta parashikoj. Megjithatë kjo është lënda e parë e PSP-së që shkon në gjykatën e apelit por si do qoftë ne jemi me disponim pozitiv.

Për fund pak politikë. E përmendët referendumin është temë aktuale e pashmangshme. Çfarë do bëni më 30 shtator, do bëni ajvar dhe bojkotoni apo ndoshta do dilni të votoni?
Sigurisht që unë si çdo qytetarë në Maqedoni do dal dhe do votoj. Ky është obligim i imi si për çdo cikël zgjedhor, ashtu edhe për këtë referendum. Ky është moment historik dhe të dilet në referendum, kjo nuk ndodhë që çdo gjeneratë të vendos për të drejtën e vet në referendum për ndonjë të drejtë të vet, të drejtë personale që u takon dhe për te të vendosin në referendum. Prandaj unë do dal dhe do votoj.

evn