Analisti i njohur serb Dushan Janjiq, në një intervistë për AIM thotë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është kurorë e ruajtjes dhe ndërtimit të shtetësisë dhe do ta përshpejtojë hyrjen e Maqedonisë në BE.

Janjiq thotë se marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin është e rëndësishme për rajonin, ndërsa anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE nuk mund të ketë efekt negativ mbi Serbinë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ndrësa sa i përket referendumit për çështjen e emrit, ai tha se Maqedonia është në rrugën e stabilizimit.

“Duhet të konstatojmë se vetë fakti që shkohet në referendum, me të cilin do të sillet vendim për marrëveshjen kyçe rreth emrit, tregon se Maqedonia është në rrugën e stabilizimit. Gjithë këto pritje, kërcënimet reale se Maqedonia do të bllokohet në 15 vitet e ardhshme, nuk u realizuan. Kjo është e rëndësishme”, tha Janjiq.

Ndërsa sa i përket qëndrimit të OBRM-PDUKM-së, ai tha se duhet të bëhet dallim mes asaj historike dhe të tanishme.

“OBRM-PDUKM-ja historike ka pasur rol kyç në ndërtimin e vetëdijes për identitet kombëtar dhe luftës për shtetësi. Kjo nuk është tek OBRM-PDUKM-ja bashkëkohore, e cila përmes kanaleve të privatizimit, korrupsionit dhe ndikimit të parave, ka rënë në një lloj të kolonializmit ekonomik”, tha Janjiq.