Sipas indikacioneve që disponon opozita, sulmi është bërë nga ana e strukturave të afërta me pushtetin, sipas parimit të revolucionit laraman. Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev aktin e ka cilësuar si qyqar dhe sulm ndaj demokracisë. Edhe gjatë ditës së sotme partia opozitare maqedonase e VMRO-së kërkon që rasti sa më shpejt të zbardhet nga ana e organeve të rendit.

“Kjo është fytyra e vërtetë dhe diktatore e Zoran Zaevit. Në duart e tij janë edhe policia edhe gjykata dhe të gjitha mekanizmat për ta ndaluar gjithë këtë, për ti gjetur kryrësit e aktit. Ne jemi VMRO, dhe ata duhet ta dijnë se VMRO nuk do të hamendet as një milimetër në qëndrimet e veta në raport me Marrëveshjen për emrin. Përkundrazi ky akt na bën më të fuqishëm dhe më të guximshëm”, tha Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Nga MPB konfirmuan se rasti është paraqitur nga ana e partisë, dhe se akti është kryer nga tani për tani persona ende të panjohur për policinë. Nga MPB thonë se pjesëtarët e policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe se po merren masat për zbardhjen e tij.