Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare  tentimin e policisë për bastisje të selisë së partisë e shohin si presion politikë. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Igor Janushev u bëri thirrje zyrtarëve policorë që në rast se dyshojnë se Gruevski fshihet brenda selisë së partisë, bashkë të futen brenda dhe të kontrollojnë.

“Të themi se kjo që po ndodh është grusht ndaj demokracisë, do të ishte tragjikomike, por kjo vërtet është kulmi. VMRO-ja është nën shtetrrethim të policisë. Anëtarët e partisë po bastisen dhe po shqetësohen nga ana e zyrtarëve policorë. Asnjëherë në historinë e Maqedonisë së pavarur nuk mbahet mend presion i këtillë ndaj një partie në opozitë. Ky është keqpërdorim i policisë, për qëllime partiake. Ky është një sulm ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, dhe që kundërshtojnë politikën kapitulluese dhe anti-maqedonase të Zoran Zaevit të amnistuar. Për këtë qëllim Zoran Zaev po keqpërdor edhe mediat. Kjo që po ndodh sonte nuk është pajtim, por përkundrazi thellim i krizës politike. Regjisorët e kësaj po tentojnë të ndjellin frikë tek opozita. Ky presion është sulm ndaj opozitës, por kjo nuk do kaloj kaq lehtë, do ti marrim të gjitha masat që të pengoj keqpërdorimin e institucioneve. Që një vjet e gjysmë po e fundosin shtetin dhe dështimet e tyre po tentojnë ti fshehin përmes aksioneve të këtilla. Kjo është ndjekje politike”, deklaroi Janushev.

Ndërkohë i pyetur për vendndodhjen e Gruesvkit u përgjigj.

“Në rast se policia ka urdhër për bastisje, le të urdhërojnë ke të hyjnë brenda dhe do t’i shëtisim nëpër seli që të binden se Gruevski ndodhet apo jo në parti”.