Java e dytë e fushatës për zgjedhjet presidenciale

Fillon java e dytë e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale në të cilën tre kandidatët për funksionin e presidentit vazhdojnë t’i shfaqin programet e tyre, konceptet dhe vizionet në takime, tribuna dhe tubime.

Marketing

Kandidati presidencial i mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja dhe Koalicioni, Gordana Siljanovska Davkova, do të mbajë tubime në Makedonski Brod dhe në Kërçovë.

Stevo Pendarovski, kandidat i LSDM-së dhe koalicionit, do të ketë takime me banorë të fshatit Mirkovci në komunën e Çuçer Sandevës, pas çka do të marrë pjesë në tribunat qytetare në komunat Butel, Shuto Orizare dhe Gjorçe Petrov.
Blerim Reka, kandidati presidencial i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe BESA, do të ketë takim me qytetarët në Tearcë.

Siljanovska Davkova do të paraqitet në tubimin qendror në Shkup fundjavën e ardhshme më 13 prill, ndërsa një ditë më vonë, më 14 prill, tubim qendror do të ketë edhe Pendarovski. Reka do të ketë konventën përmbyllëse në datën 18 të këtij muaji.

Fushata zyrtarisht filloi më 1 prill, ndërsa do të zgjasë deri më 19 prill pas çka vijon heshtje zgjedhore 24 orëshe para ditës së votimit. Në terren vazhdon edhe fushata parazgjedhore edhe e kandidatëve për kryetarë të komunave në Ohër, Novo Sellë dhe në Dibër, për të cilët zgjedhja mbahet së bashku me zgjedhjet presidenciale për të cilat rrethi i parë i zgjedhjeve është caktuar për më 21 prill, ndërsa rrethi i dytë për më 5 maj.

Marketing