“Java e jetimëve”,OH “Kalliri i Mirësisë” mbledh fëmijët nga 5 vende

Organizata Humanitare “Kalliri i Mirësisë” mban për të shtatën herë manifestimin “Java e jetimëve”, nën moton “Jetimi – amaneti ynë”….Qëllimi i kësaj fushate është t’u ofrohet këtyre fëmijëve përkrahje morale dhe materiale, për t’u mundësuar një të ardhme më të mirë në rrafshin individual dhe atë familjar.

“Ky organizim po merr një karakter ballkanik dhe këta fëmijë i tubon mes tyre, i njofton mes tyre dhe vendos ura të lidhjes, kontaktimit mes tyre. Por, pa dyshim ky tubim ballkanik e ka edhe karakterin e tubimit të organizatave, të cilat veprojnë në sferën e përkujdesjes të këtyre fëmijëve, për të këmbyer përvojat tona, për t’u konsultuar për një veprimtari më efikase, që do të ishte në dobi të fëmijëve për të cilët flasim”,- tha kryetari i OH “Kalliri i Mirësisë”, Rifat Sherifi.

Fëmijët nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Sanxhaku dhe Mali i Zi do të vizitojnë disa qytete në vendin tonë, e kjo i ka bërë mjaft të lumtur.

“Kjo është hera e parë që kemi të shëtisim me këtë organizatë, do të shkojmë në Tetovë, Strugë dhe Ohër”,- theksoi Jon Abazi.

“Është hera e parë që po vij me këtë organizatë dhe ndjehem shumë mirë”,- tha Hamza Abazi.

“Kam dëgjuar që do të vizitojmë shumë vende të bukura këtu dhe kjo më pëlqen”,- u shpreh Erblina Vitija.

“Unë iu falënderoj që më keni ftuar këtu për shumë gjëra, për aktivitete, për gjithçka në këtë shoqatë”,- tha Arlinda Besilica.

Fushata “Java e jetimit” do të zgjasë deri më 13 tetor me një numër të madh aktivitetesh. Për këtë kategori fëmijësh do të ndahen rreth 220 dhurata.

evn