Papunësia e madhe, çmime të shtrenjta të produkteve ushqimore, fatura të mbetura të shërbimeve komunale… Në pamundësi për të marrë rroga më të larta për punën që e bëjnë tek punëdhënësit, numri më i madh i të punësuarve shpëtimin e kanë gjetur në marrjen e kredive bankare pa dedikim – edhe atë në vlerë prej 1000 eurove deri më 2000 euro me afat kthimi deri më 3 vite, shkruan gazeta KOHA. Dhe kështu, këto para i harxhojnë në afat shumë të shkurtër dhe nuk ju mbetet më pas asgjë tjetër pos të mësohen me pagë më të ulët, pasi detyrohen të paguajnë këstet e kredisë së marrë.

Jeta e tyre, thonë qytetarët, po bëhet më e vështire, pra “jetë me këste”. Se kjo është kështu e tregojnë edhe të dhënat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM). Rreth 2.5 miliard euro është borxhi i amvisërive ndaj bankave – përfundimisht me muajin tetor të këtij viti. “Në nivel vjetor kemi rritje të kredive të amvisërive prej 8.2 për qind dhe në fund muajit tetor, borxhi i qytetarëve ndaj bankave arrin nivelin prej 2.5 miliard euro. Pjesa më e madhe e këtyre kredive janë pa dedikim”, thuhet në raportin e fundit të BPM-së. Për njohësit e mirë të çështjeve ekonomike, parametrat ekonomik në letër ende vazhdojnë të rriten, ndërsa në realitet – qytetarët dita ditës bëhen edhe më të varfër. Prandaj, ekspertët ekonomik dhe sociologët pyesin se cila është e vërteta – rritja ekonomike apo mirëqenia edhe më e dobët e qytetarëve në përgjithësi? Apo me të vërtet kemi përmirësim të standardit jetësor të qytetarëve brenda këtyre 1 apo dy viteve pas ndërrimit të Qeverisë së mëparshme?

Profesori i ekonomisë pranë Universitetit të Evropës Juglindore, Besnik Fetai, është i mendimit se aspak nuk ka “jetë më të mirë”. “Premtimi për rroga minimale prej 200 euro, rrogë mesatare prej 500 euro, rritje ekonomike deri më 5 për qind, mirëqenie më të mirë për qytetarët… e në anën tjetër kemi një numër të madh të papunëve dhe përqindje të lartë të qytetarëve të varfër. Me të drejtë shtrohet pyetja se cila është pasqyra e vërtet e gjendjes socio-ekonomike e popullatës në Maqedoni? Përgjigjen e saktë vështirë se mund ta jep një institucion statistikor. Pra në vend që të këtë ‘jetë më të mirë për të gjithë’, qytetari i thjeshtë vazhdon të bëjë ‘jetë me këste’”, thotë Fetai. Sipas tij, të gjitha të dhënat tregojnë se po rritet numri i punonjësve që marrin kredi për të siguruar ushqim për familjen, pasi paga mujore nuk u mjafton.

“Nëse një punëtor futet një herë në borxh në banka, ai do të vazhdojë vazhdimisht të futet në borxhe të reja që të mund ta kthejë këstet e kredisë së marrë, sepse rroga që ai e merr nga punëdhënësi, nuk i mjafton t’i paguan faturat e shërbimeve komunale e lerë më t’i siguron familjes gjërat ushqimore elementare të nevojshme”, thotë Fetai.

Profesori i sociologjisë, Ilija Acevski, thotë së shifrat që i publikon BPM-ja, e pasqyrojnë më së miri realitetin e gjendjes ekonomike të qytetarëve në Maqedoni.

“Numrat e fundit që po bëhen publike nga disa institucione statistikore njëri me tjetrin nuk korrespondojnë. Kur në një shtet ka rritje ekonomike, duhet të ketë dhe mirëqenie me të mirë të qytetarëve. Por kjo aspak nuk vërehet te qytetarët”, thotë Acevski, duke shtuar se qytetarët nuk e e ndjejnë këtë mirëqenie për shkak se kemi një shpërndarje të pabarabartë të parave buxhetore. “Kjo është pasqyra reale. Në cilën pjesë të shoqërisë maqedonase është stacionuar mirëqenia? Një gjë e tillë as që vërehet, përveç tek qytetarët që ushtrojnë funksione të larta në institucionet shtetërore. Ndërsa te popullata që punojnë për rrogë minimale dhe te ata që janë bartës të ndihmave sociale, perspektiva për një jetë më të mirë që moti është zhdukur. Si qeveritë e mëparshme, por edhe kjo aktualja, gati dy vite në pushtet nuk investon asnjë denarë për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve. Kemi një ekonomi të stagnuar, papunësia nuk zvogëlohet dhe të rinjtë po ikin jashtë për të siguruar një jetë më të mirë”, thotë Acevski, sociolog. Ai shprehet se shpresa humbet e fundit, kështu që qytetarët të mbetur këtu do të vazhdojnë të shpresojnë se një ditë, me të vërtet do të kenë një jetë më të mirë, edhe atë jo si numra statistikor, siç thonë shumë institucione shtetërore. (koha.mk)