Jo probleme të qëllimshme, por raste të izoluara

Të dhënat statistikore tregojnë se në dhjetëvjeçarin fundit apo në periudhën 2008-2018, kemi rritje prej 20 milionë euro në 43 milionë euro e eksportit nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në po të njëjtën periudhë shënohet edhe ulje e eksportit nga Maqedonia në Kosovë prej 346 milionë euro në vitin 2008, në 172 milionë euro në vitin 2018, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se eksporti i Kosovës në Maqedoninë e Veriut në princip nuk po has në probleme të qëllimshme me përjashtim të rasteve të izoluara që kryesisht ndërlidhen me çështje të caktuara teknike , mirëpo mbetet çështje diskutimi se sa Kosova ka mundësi për një eksport më të madh në rajon dhe më gjerë, thonë njohësit e çështjeve ekonomike.

Marketing

SA REALISHT KOSOVA KA KAPACITETE PËR EKSPORT?

“Nuk ka pengesa dhe as ndonjë tendencë që mallrat dhe prodhimet e Kosovës të eksportohen drejt Maqedonisë së Veriut. Ndoshta mund të ketë probleme të rastit ku për shembull për një pikë apo presje mund të shfaqen vështirësi të caktuara .Nga ana tjetër duhet shikuar edhe situatën se sa realisht Kosova ka kapacitete dhe mundësi në përgjithësi për eksport”, thotë drejtori i kompanisë “Dauti Komerc”, Xhemali Dauti, që shtrin aktivitetin e kompanisë “ Dauti Komerc”, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.

Se Kosova ka problem me minusin në tregti apo se shumë dobët qëndron me eksportin në raport me importin, tregon edhe deficiti tregtar i saj që arriti shifër rekord prej 3 miliardë euro për vitin 2018. Sipas publikimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2018, Kosova shënon rekord në tregtinë e jashtme me një deficit tregtar prej 2 miliardë e 972 milionë euro , më i larti i shënuar nga viti 2001. Thënë ndryshe, në vitin e kaluar Kosova ka shënuar eksport të vlefshëm vetëm 367 milionë euro, ndërsa nga ana tjetër ka shënuar import prej 3 miliardë e 339 milionë euro. Apo me fjalë të tjera ,eksporti mbulon importin për vetëm 11 për qind. Njëherësh, analizat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë një trend pozitiv, por të ngadalshëm të rritjes së eksporteve nga 2008-2018, që kanë pasur këto grupe të sektorëve: ushqime të përgatitura, pije, pije alkoolike dhe duhan nga 10.5 milionë Euro në 39 milionë euro, plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre nga 6.4 mijë Euro në 44.7 milionë euro, produkte bimore nga 8.9 milionë euro në 23.8 milionë euro, artikuj të ndryshëm të prodhuar nga 2.3 milionë euro në 13.1 milionë euro, tekstil dhe artikuj tekstili nga 2.5 milionë në 10.6 milionë euro.

Eksperti ekonomik, Muhamet Mustafa nga Instituti Riinvest thotë se papunësia dhe deficiti tregtar janë dy problemet më të mëdha në Kosovë. “Nëse që nga pas lufta kemi këtë gjendje, mund thuhet se nuk ka pasur politika dhe strategji të duhura për zgjidhje të këtyre dy problemeve, papunësinë dhe deficitin e lartë tregtar”, thotë Mustafa.

Në ndërkohë, në vitin 2018, Kosova ka eksportuar në Maqedoni, mbetje dhe kthime me baze metali jo-ferrike me vlerë prej 7.3 milionë euro, mbeturina dhe copëza me përmbajtje hekuri me vlerë prej 7 milionë euro, gypa, tuba dhe profilet e shtrira, pajisje për gypa ose tuba në vlerë prej 4.3 milionë euro, pije joalkoolike në vlerë prej 4 milionë euro, pllaka, fleta, film, dhe stripe, të plastikës me vlerë prej 3.4 milionë euro, pulp dhe mbeturinat e letrës me vlerë prej 1.9 milion euro, kafe dhe prodhimet e kafes me vlerë prej 1.4 milion euro, makineri elektrike dhe aparate me vlerë prej afër 1.2 milion euro, etj

Nga ana tjetër nga Maqedonia në Kosovë në vitin e kaluar janë eksportuar vaj nafte dhe vajrat e nxjerra nga mineralet e bitumonit me vlerë prej 22 milionë euro, gëlqere, çimento, material ndërtimor i fabrikuar me vlerë prej 19 milionë euro, prodhimet nga hekuri të petëzuara ose çelik pa aliazh me vlerë prej afër 15 milionë euro, përgatitjet nga drithërat dhe përgatitjet nga mielli me vlerë prej afër 11 milionë euro, artikuj prej plastike me vlerë prej 7 milionë euro, shufra hekuri dhe çeliku, kallam, këndet etj me vlerë prej 7 milionë euro etj.

Ndryshe, eksportet e Kosovës në vitin 20128, në vendet e BE-së arritën në 110.8 milionë euro, ose rreth 30.2 për qind e eksporteve të përgjithshme, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 173.5 milionë Euro, ose 47.2 për qind të eksporteve të përgjithshme. Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 83.1 milionë Euro, apo si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport janë: India dhe Zvicra.

DËMI NGA NDALESA E IMPORTIT NGA KOSOVA ËSHTË GATI SE ZERO

Nuk do të përballojmë gati se kurrfarë dëmi nga ndalesa për import të patateve dhe mjaltit në Kosovë, ndërsa barriera e vendosur nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në ekonominë e RMV-së, vlerësoi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Ai theksoi se tashmë është realizuar rreth 70 për qind nga eksporti i këtyre dy produkteve në Kosovë dhe shtoi se pas vendosjes së ndalesës janë marrë leje për eksport të patateve dhe mjaltit në tregjet evropiane. “Dëmet për ekonominë e RMV-së nga ndalesa për eksportin e patateve dhe mjaltit në Kosovë gati se janë zero, duke e pasur parasysh se produktet tona mund të eksportohen edhe në tregje të tjera, veçanërisht mjalti. Në afat prej një muaj pas vendosjes së ndalesës tashmi i plotësuam edhe të gjitha kushtet që patatet të eksportohen në tregjet evropiane, ndërsa deri më tani është realizuar mbi 70 për qind e eksportit të këtyre dy produkteve në Kosovë”, tha Bekteshi në përgjigjen e pyetjes para fillimit të hapjes së ofertave nga Shpalljes publike për ndarjen e premive për energji elektrike të prodhuara nga termocentralet fotovoltaike.

Bekteshi precizoi se pas takimit me kolegun e tij kosovar Shala janë marrë vesh që më së voni deri në fillim të javës Kosova të dorëzojë dokumentacion se po zbatojnë monitorim aktiv dhe pasiv për kultivimin e ikrave dhe rasadit të peshkut dhe shtoi se ende nuk e kanë marrë dokumentacionin e tillë.

“Për ne si shtet është shumë me rëndësi që t’i përmbushim kushtet dhe kërkesat nga Bashkimi Evropian sepse në afat sa më të shkurtër kohor do të marrim licencë dhe leje që të mund të eksportojmë peshk në tregun evropian”, tha Bekteshi. I pyetur se a pret që me ribalancin e paralajmëruar të Buxhetit të zvogëlohen mjetet për Ministrinë e Ekonomisë, Bekteshi tha se pret që të marrin më shumë mjete. “Në Ministrinë e Ekonomisë nuk do të ketë zvogëlim të mjeteve, përkundrazi presim që të marrim më shumë mjete, duke pasur parasysh se ka interesim të madh nga ana e qytetarëve për masat të cilat i zbatojmë”, tha Bekteshi dhe paralajmëroi se nga 1 tetori do të fillojë subvencionimi për vendosjen e pajisjeve të gasit në automjetet. (koha.mk)

Marketing