Jovevski: Prokuroria Publike është përgjuar me vite

Prokuroria Publike është përgjuar me vite. Një gjë të tillë e bëri të ditur kryeprokurori Lubomir Jovevski gjatë një takimi me gazetarët. Pajisja e përgjimit ka qenë e vendosur në centralin e telefonisë fikse. Jovevski tha se është duke u hetuar se kush dhe për çfarë qëllimesh ka përgjuar Prokurorinë në telefoninë fikse që nga shtatori i vitit 2016 e deri disa ditë më pare kur dhe janë gjetur hard disqet.

Marketing

Është hapur procedurë paraprake për të vërtetuar se kush ka përgjuar, a janë bartur bisedat e regjistruara, a janë keqpërdorur dhe për çfarë qëllimi. Gjithashtu kontrollohet nëse janë regjistruar bisedat edhe të zyrës qendrore të Prokurorisë së Krimit të Organizuar, e cila ndodhet në ndërtesën e Gjykatës së Apelit në Shkup”, theksoi Jovevski.

Kryeprokurori Jovevski gjithashtu tha se do të hetojnë nëse edhe më herët se viti 2016 kur kjo Prokurori ka qenë në godinën e vjetër janë përgjuar bisedat e telefonisë fikse apo të njëjtat automatikisht janë fshirë nga hard disqet të cilat janë të instaluara në qendrën e telefonisë fikse që nga viti 2013. Ndërkohë zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski tha se përgjimet kanë qenë praktikë e pushtetit të kaluar dhe strukturave jodemokratike. Ai tha se edhe Ministria e Brendshme është përfshirë në procedurën para-hetimore.